Lajme

Petkoviç: Asociacioni, shtylla kurrizore e dialogut Kosovë-Serbi


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, është shprehur këtë të mërkure se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është “kusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Duke për folur për 10-të vjetorin e marrëveshjes së Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkundër se Beogradi pjesën më të madhe të marrëveshjes nuk e ka përmbushur, Petkoviç përpiqet që të propagandojë të kundërtën, duke tentuar që ta akuzojë Prishtinën për jokonstruktivitet.

“Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe komprometuese gjatë gjithë kohës, ndërsa nga ana tjetër, Prishtina vazhdimisht po përpiqet të pengojë dialogun dhe t’ua vështirësojë jetën serbëve në Kosovë”, pretendon Petkoviç, në një intervistë për RTS.

Ndërkaq, ai shtoi se “kur shikon gjithçka që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, një përgjegjësi e veçantë ka bashkësia ndërkombëtare, e cila është e detyruar të bëjë presion në themelimin e Asociacionit”.

“Asociacioni përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, nënvizoi ai.

Ai vazhdoi të përsërisë se Asociacioni është kusht kyç për Kosovën, dhe shtoi se ajo që është rënë dakord në Ohër “nënkupton se obligimi i parë është formimi i Asociacionit – obligim i Kosovës”.

“Në vend të kësaj kemi çmime të ndryshme që vijnë për Kurtin. Kjo nuk është për formimin e Asociacionit, sepse ai nuk do kompetenca ekzekutive për këtë mekanizëm, por për ta ulur atë në nivelin e një organizate joqeveritare”, shtoi ai.

I pyetur nëse Asociacioni do të jetë në tryezë më 2 maj, në raundin e ardhshëm të dialogut në nivelin më të lartë ku do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Petkoviç tha se është rënë dakord që raundi tjetër t’i kushtohet Asociacionit, “për të hyrë në hapat më konkretë të themelimin e saj”.

“Por siç është rënë dakord përmes katër marrëveshjeve, jo siç dëshiron Kurti. Hapi i parë është që Ekipi Menaxhues të paraqesë një draft të statutit, i ndjekur nga një diskutim i draftit të propozuar. Statuti duhet të përmbajë të gjitha dispozitat që përmban parimet e përgjithshme nga viti 2015. Për këtë do të insistojmë”, theksoi ai.

Ndërsa, vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës, ai e konsideroi si një shpërblim për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk kemi asgjë kundër liberalizimit të vizave, kemi thënë se liria e lëvizjes është e nevojshme, por problemi është se Kurti dje është shpërblyer drejtpërdrejt me këtë vendim. Është e njëjta histori për Këshillin e Evropës”, ​​tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore