Lajme

Personat dhe historitë që u bënë simbol rezistence në Ukrainë


Rusia ka 19 ditë që po zhvillon një luftë të plotë kundër Ukrainës. Kremlini e quan atë një “operacion special” dhe e justifikon pushtimin duke dashur të çlirojë tokën nga “nazistët” që morën pushtetin në Kiev.

Për 19 ditë populli ukrainas së bashku me ushtrinë i reziston pushtuesve rusë dhe përpiqet të përcjellë një mesazh të rëndësishëm: “Ne jemi në tokën tonë! Nuk kemi nevojë të çlirohemi! Ukraina do të mbrojë pavarësinë e saj”.

Më poshtë kemi listuar disa nga historitë e luftës, të cilat kanë frymëzuar ushtarë dhe civilë që të qëndrojnë të patrembur kundër okupatorit rus.

Sakrifikoi veten për të mbrojtur qytetin

Më 24 shkurt, ditën e parë të luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, një ushtar ukrainas ka hedhur veten në erë, duke u sakrifikuar, vetëm që tanket ruse të mos e kalonin një urë lidhëse, e cila ishte edhe portë hyrëse në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Ura ishte e minuar dhe gati për t’u hedhur në erë. Mirëpo, një autokolonë ruse po kalonte mbi të dhe koha e mjaftueshme për ta shpërthyer në mënyrë të telekomanduar eksplozivin mungonte.

Pikërisht në atë çast, Vitaly Skakun, një ushtar i ri në moshë, thirri në radio njësinë e tij operative.

“Lamtumirë”, i tha ai vëllezërve të tij ushtarë dhe më pas, e aktivizoi eksplozivin në mënyrë manuale, duke hedhur urën në erë dhe duke i prerë rrugën autokolonës.

Qytetarët e Kievit e kanë glorifikuar menjëherë ushtarin, duke kënduar edhe kore me emrin e tij në rrugët e Kievit, i cili po kalon çaste shumë tensionuese dhe po përballet me përpjekjet në pushtim.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vendosi t’i jepte pas vdekjes titullin Heroit të Ukrainës Vitaliy Skakun.

Kundër tankeve

Po në rajonin e Chernihiv-it, civilët shkuan te pushtuesit për të biseduar dhe për t’i penguar ata të ecnin përpara. Vendasit folën me komandantin dhe ushtria ruse ra dakord të kthehej. Delegacioni negociator drejtohej nga një prift lokal.

Në Konotop, rajoni Sumy, njerëzit gjithashtu filluan të ndalojnë ushtrinë ruse. Banorja e zonës Olga thotë se njerëzit shfaqnin video në telefonat e tyre për atë që po ndodhte në Ukrainë, se si po bombardoheshin dhe qëlloheshin vendasit.

“Ushtarakët doli nga pajisjet, dëgjuan në heshtje dhe nuk debatuan, pastaj u kthyen”, tha Olga.

Megjithatë, sipas gruas, që nga 2 marsi, ushtria ruse mbeti ende në periferi të qytetit.

“Ata shkonin shtëpi më shtëpi duke kërkuar ushqim, ndonjëherë edhe duke dëbuar njerëzit nga shtëpitë e tyre”.

“Fantazma e Kievit”

Piloti MiG-29, i njohur si “Fantazma e Kievit”, u bë i famshëm në Ukrainë menjëherë pas pushtimit rus. Në 30 orë që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, ai rrëzoi gjashtë avionë pushtues.

Më 3 mars, ai llogariste 30 avionë armiq të rrëzuar “në tabelën e tij të pikëve”. Ende nuk dihet identiteti i pilotit.

Debati me pushtuesit

Ukrainasit po përpiqen të arrijnë vetë ushtrinë ruse. Në Henichesk, një grua vendase iu afrua një prej pushtuesve kur ata pushtuan qytetin. Gruaja i bërtiti ushtrisë ruse se ata ishin nazistët që kishin ardhur në një tokë të huaj. Kur pushtuesit iu përgjigjën se biseda nuk do të çonte në asgjë, gruaja i këshilloi të fusnin fara në xhepat e tyre.

“Kur të shtriheni këtu, të paktën lulet e diellit do të mbijnë”, u tha ajo.

Në rajonin e Sumy, një grua tjetër u grind me një ushtarak rus, i cili i kërkoi asaj të tregonte dokumente në një pikë kontrolli.

“Pse duhet t’u tregoj terroristëve pasaportën time? Unë jam një shtetase e Ukrainës, kam lindur këtu. Pse keni ardhur për të vrarë prindërit dhe fëmijët e mi? Kush jeni ju?”, u bërtiti gruaja.

Ajo kërkoi që ushtria ruse të hiqte maskën, por ai nuk e dëgjoi. Burri më pas pyeti se “ku keni parë që ne të vrasim fëmijë këtu?”

Gruaja dha shembullin se një kopsht fëmijësh u qëllua në Myrhorod dhe një fëmijë vdiq, e njëjta gjënë në Kharkiv. Ushtari rus iu përgjigj duke i thënë se kjo gjë do të ndodhë nësë “ju do vrisni tanët”. Një grua tjetër u përpoq të shpjegonte se nuk ishin ata që kishin shkuar në vende të tjera për të vrarë njerëz.

“Anija luftarake ruse, shko në ferr!”

Rojet kufitare ukrainase në ishullin Zmiiny u bënë pothuajse simboli më i madh i rezistencës ndaj kësaj lufte.

Më 24 shkurt, ditën e parë të luftës ruso-ukrainase, pushtuesit kërkuan që rojet kufitare në ishull të dorëzoheshin, por ukrainasit nuk pranuan.

“Ju flas ng anjë luftanije ruse. Propozoj të lini armët dhe të dorëzoheni për të shmangur gjakderdhjen dhe viktima të panevojshme. Përndryshe, ju do të bombardoheni”, thanë dy herë pushtuesit.

“Anije luftarake ruse, shko shko në ferr!” – u përgjigjën mbrojtësit ukrainas.

Sipas zyrtarëve ukrainas, këto ishin fjalët e fundit të dëgjuara nga ishulli përpara se Rusia të fillonte sulmet dhe Kievi të humbiste kontaktin me ishullin.

Por, sipas një deklarate të lëshuar të shtunën nga Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare të Ukrainës, mbrojtësit e ishullit të vogël ukrainas të Zmiinyi-t në Detin e Zi mund të jenë ende gjallë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore