Lajme

Përplasen Hoti e Vela për ujdinë e Uashingtonit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti i ka reaguar presidentes së vendit, Vjosa Osmani lidhur me deklaratën që me pranimin e moratoriumit në Uashington është cenuar rendi kushtetues i Kosovës.

Ai ka thënë se vetëm politikanët e llojit të caktuar e me orientime joperëndimore mund të mendojnë dhe thonë diçka të tillë.

“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?! Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla”, ka shkruar Hoti.

Ndërsa, ka shtuar se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në. Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO dhe jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë”.

“Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajtë nga politikanët e papërgjegjshëm”, shkroi Hoti.

Reagimi i ish kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Menjëherë pas këtij reagimi, shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela i është kundërpërgjigjur Hotit në lidhje me reagimin e tij.

Vela përmes Twitter-it, tha se rendi kushtetues i Kosovës nuk është cenuar nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë por, “nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti”.

“Rendi kushtetues nuk është cenuar nga Zyra Ovale por nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti. Nga kryeministri jo kushtetues i Kosovës nuk mund të presim respektim te Kushtetutës dhe të drejtës së patjetërsueshme të Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, shkruan Vela në Twitter.

Vela tutje ka theksuar se, “derisa ai ia ka fikur dritat politikës së jashtme, Presidentja e ka kthyer në binarë atë duke e forcuar aleancën me SHBA-të”.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj deklaroi se me pranimin e moratoriumit në Washington, ku Kosova ishte pajtuar që për një vit të mos lobojë për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare ka cenuar rendin kushtetues të vendit.

“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na ofrojnë në rrugëtimin tonë të drejtë të qenurit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues”.

“Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme”.

“Tani, këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa reshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”, nënvizoi presidentja Osmani në fjalimin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore