Lajme

“Përpjekje për të hedhur baltë”, e quan Gërvalla publikimin e aktakuzës për mos deklarim të pasurisë


Donika Gërvalla, Ministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Pas lajmit për ngritjen e aktakuzës për mos-deklarim të pasurisë, ka reaguar vetë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”, ka shkruar Gërvalla në llogarinë e saj në Facebook.

“Çfarë rastësie!”, është shprehur ajo, duke shtuar se “në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021”.

Publikimin e aktakuzës tani, Gërvalla e konsideron përbaltje ndaj krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë”, ka shkruar Gërvalla më tej.

Ajo ka shtuar se shpreson që gjykata të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët, sipas saj, dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë.

“Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pinë ujë. Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione. Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, çdo ditë të punës ka qenë e ndërgjegjshme që duhet të jenë të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese.

“Prandaj ballëhapur dhe me duar të pastra vazhdojmë punën për përfaqësimin dinjitoz të vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit të Republikës, reformimin e institucioneve dhe vënien në vend të ligjshmërisë së shkelur në mënyrën më brutale për kaq vite me radhë”, ka përfunduar ministrja Gërvalla.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ishte duke u hetuar nga prokuroria për mosdeklarim të pasurisë së saj në muajin tetor 2022.

Edhe në atë lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, ka thënë Ulaj për Albanian Post.

Në muajin mars, Gërvalla, ka qenë duke u hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit pasi dyshohej se nuk e ka raportuar se ka në pronësi një kompani biznesi në Gjermani.

Po ashtu ajo nuk e ka pohuar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

“Lidhur me rastin e adresuar, Agjencia kundër Korrupsionit është zhvillim e sipër të procedurës së hetimeve paraprake të mbledhjes, hulumtimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe informacioneve të tjera relevante për rastin”, kishte njoftuar AAK-ja.

Më 23 mars të vitit 2021, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, kishte pranuar detyrën ministrore.

Pasuria e deklaruar

Ministrja Donika Gërvalla në vitin 2023 e kishte deklaruar pasurinë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila deri taninjihej si Agjencia kundër Korrupsionit.

Në seksionin e Pasurisë së Paluajtshme, kishte deklaruar një shtëpi, një pyll, një arë dhe një truall. Por, e gjithë kjo sipas saj ka vlerën e vetëm 125 mijë eurove.

Gërvalla kishte deklaruar edhe një veturë Toyota në vlerë prej 7 mijë eurove.

Sa i përket bizneseve, ajo ka deklaruar se është pronare e një biznesi “Alblingua UG”.

Por, ministrja nuk kishte deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Ajo nuk kishte treguar se posedonte biznes në Gjermani, se ishte drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe nuk e kishte deklaruar as pasurinë e burrit dhe të fëmijëve të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore