Lajme

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj Gërvallës për mosdeklarim të pasurisë


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke u hetuar nga prokuroria për mosdeklarim të pasurisë së saj.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, ka thënë Ulaj për Albanian Post.

Në muajin mars, Gërvalla, ka qenë duke u hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit pasi dyshohej se nuk e ka raportuar se ka në pronësi një kompani biznesi në Gjermani.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Po ashtu ajo nuk e ka pohuar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

“Lidhur me rastin e adresuar, Agjencia kundër Korrupsionit është zhvillim e sipër të procedurës së hetimeve paraprake të mbledhjes, hulumtimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe informacioneve të tjera relevante për rastin”, kishte njoftuar AAK-ja.

Ndryshe më 14 tetor, është ngritur aktakuzë edhe ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit.

Lajmin për Albanian Post, e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 13 tetor 2022, ka ngritur aktakuzë kundër R.H., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, deklaroi Ulaj.

Më 23 mars të vitit 2021, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, kishte pranuar detyrën ministrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore