Lajme

Përpjekja për t’i dërguar çështjet e krimeve të luftës në Siri në Gjykatën Penale Ndërkombëtare


Një përpjekje për t’i bërë zyrtarët ushtarakë iranianë dhe sirianë përgjegjës për krimet e luftës në Siri, është që të dërgohen çështjet para Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Kështu ka ndodhur. Tanimë, ka një kërkesë që përfshin prova të viktimave siriane të detyruara të ikin në Jordani për shkak të sulmeve dhe frikësimit nga qeveria siriane dhe grupet e milicisë të mbështetur nga Irani.

Kjo kërkesë është fryt i Qendrës së Dokumentacionit për të Drejtat e Njeriut në Iran me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me avokaten Haydee Dijkstal, në Mbretërinë e Bashkuar.

Lidhur me viktimat, ata u vunë në shënjestër midis viteve 2011 dhe 2018 për aktivitetet e tyre profesionale gazetareske dhe për aktivitetet e tyre aktuale dhe të perceptuara të opozitës.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se kërkesa shënon herën e parë që zyrtarët iranianë janë vënë në shënjestër në këtë mënyrë për aktivitetin e tyre në Siri.

Gjithashtu është pjesë e një përpjekjeje në rritje për t’i bërë oficerët e ushtrisë siriane dhe të tjerët ligjërisht përgjegjës për veprimet e tyre.

Avokati Gissou Nia ka thënë se “deri më tani, pak vëmendje publike i është kushtuar përgjegjësisë ligjore të Republikës Islamike të Iranit në konfliktin dhjetëvjeçar sirian, paçka ndërhyrjes së konsiderueshme të zyrtarëve iranianë në Siri dhe kryerjes së mizorive”.

Nga ana tjetër, provat e paraqitura janë dhënë në mënyrë anonime për shkak të frikës nga hakmarrja, por që identitetet do të bëhen të ditura për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Referuar pretendimit, civilët sirianë u ndjenë të detyruar të iknin përballë bombardimeve dhe të shtënave pa dallim, vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve arbitrare, rrahjeve dhe abuzimeve të tjera.

Provat që janë paraqitur pranë gjykatës dokumentojnë se si sirianët u detyruan të linin shtëpitë dhe familjet e tyre dhe nuk ishin në gjendje të ktheheshin në vendin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore