Lajme

Përpara takimit në Rashkë, Simiç: “Do t’ia përcjellim qartë Vuçiç-it dhe qeverisë se si jetojnë serbët në Kosovë”


Igor Simiç

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, është shprehur këtë të mërkure se në takimin e të enjtes që do ta kenë si përfaqësues të serbëve në Kosovë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, do të “përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë”.

“Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë”, pretendon Simiç, transmeton media opozitare serbe Danas.

Ndërsa, të premten e 7 prillit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas takimit që kishte pasur me përfaqësuesit e Listës Serbe, ishte shprehur se “nuk kemi një dakordim për qëndrim të përbashkët” për çështjen e zgjedhjeve të 23 prillit në Veri të Kosovës, në të cilat serbët, siç tha ai, “nuk do të marrin pjesë”, dhe se për këtë do të mbahet një takim tjetër javën e ardhshme.

“Javën e ardhshme do të kemi një adresim më të gjatë, të enjten e madhe ose të premten e madhe. Së pari kam pasur konsultime dhe bisedime me përfaqësuesit më të rëndësishëm të Listës Serbe dhe me autoritetet tona dhe me përfaqësues të institucioneve dhe autoriteteve nga Kosova. Dhe kemi biseduar për të gjitha problemet, e cila është e vështirë”, tha Vuçiç.

Ai kishte paralajmëruar se takimi i ardhshëm me Listën Serbe për një qëndrim të përbashkët do të mbahet në Rashkë.

“Takimi i radhës do të jetë në Rashkë, ku do të ftohen ministrat dhe kryeministri. Deri atëherë, do të bihet dakord për një platformë të përbashkët”.

Tutje, kreu serb shtoi se ideja e tij ka qenë që në këtë takim të arrijë një marrëveshje me Listën Serbe, në mënyrë që të kenë një qëndrim të përbashkët, por sipas tij kjo ka nuk ka qenë e mundur.

“Serbët që jetojnë në jug dhe në veri të Ibrit, si dhe serbët nga Serbia qendrore, do të jenë gjithmonë të bashkuar dhe se për shtatë ditë do të kenë konkluzione të përbashkëta për gjithçka që po ndodh në Kosovë”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore