Lajme

Perimet nuk e ulin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare


Ngrënia e perimeve, veçanërisht e atyre të gatuara, nuk e zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Kështu ka rezultuar nga një studim në të cilin janë marrë të dhënat e gati 400 mijë të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar.

“Studimi nuk gjeti prova për një efekt mbrojtës të ngrënies së perimeve në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare”, ka treguar Qi Feng, një epidemiolog në Universitetin e Oxford-it.

Agjencia e lajmeve, “CNN”, tregon se teksa studimi zbuloi se ngrënia e perimeve të papërpunuara mund të mbrojë kundër sëmundjeve të zemrës, perimet e gatuara nuk e bëjnë këtë.

Çdo përfitim u zhduk kur studiuesit morën parasysh faktorët e stilit të jetesës si aktiviteti fizik, niveli arsimor, pirja e duhanit, pirja, ngrënia e frutave, konsumi i mishit të kuq dhe të përpunuar dhe përdorimi i suplementeve minerale dhe vitaminave.

“Në vend të kësaj, analizat tregojnë se efekti në dukje mbrojtës i ngrënies së perimeve kundër rrezikut të sëmundjes kardiovaskulare ka shumë të ngjarë të llogaritet nga njëanshmëria… e lidhur me ndryshimet në situatën socio-ekonomike dhe stilin e jetesës”, ka vijuar Feng.

Është ende herët

Ekspertët në MB dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u distancuan nga përfundimi i studimit.

“Megjithëse ky studim zbuloi se ngrënia e më shumë perimeve nuk ishte e lidhur me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut pasi të merrej parasysh mënyra e jetesës dhe faktorë të tjerë, kjo nuk do të thotë që duhet të ndalojmë së ngrëni perime”.

Të paktën kështu ka sugjeruar dietologia Victoria Taylor.

“Ka prova të mira që ngrënia e ushqimeve të pasura me fibra, si perimet, mund të ndihmojë në uljen e peshës dhe përmirësimin e niveleve të faktorëve të rrezikut që shkaktojnë sëmundje të zemrës”, ka treguar profesori i mjekësisë, Naveed Sattar.

Sipas tij, ky studim “nuk mund t’i kapërcejë këto prova dhe përfundimet e tij mund të debatohen”.

Kurse studiuesja Alice Lichtenstein ka thënë se “rezultatet nuk janë befasuese…. zgjedhja e një komponenti të vetëm dhe supozimi i shtimit të tij në dietë nuk ka të ngjarë të rezultojë në efektin e dëshiruar”.

“Diçka që është bërë e qartë gjatë dekadës së fundit është se nuk duhet të shikojmë vetëm ushqimet ose lëndët ushqyese, por të gjithë modelin dietetik”, ka shtuar ajo.

Veç 71 gramë

Studimi përdori të dhëna nga Biobank në MB, një studim i krijuar për të hetuar se si gjenetika dhe mjedisi kontribuojnë në shumë sëmundje të zakonshme.

Në fillim, njerëzit u pyetën se sa perime të gjalla dhe të gatuara hëngrën dhe më pas, u mbikëqyrën për më shumë se 10 vjet për të parë nëse kishin sëmundje të zemrës.

Në të, njerëzit raportuan se hanin mesatarisht pesë lugë gjelle perime çdo ditë. Çka është vetëm 71 gramë ose një e treta e një filxhani.

Rreth 2.5 lugë gjelle ishin perime të gjalla, tre të tjerat ishin të gatuara.

“Kjo është shumë pak”, ka thënë doktor Andrew Freeman.

Nga ana tjetër, udhëzimet dietetike në MB rekomandojnë pesë porcione frutash dhe perimesh në ditë, me çdo porcion rreth 80 gramë.

Freeman ka ngritur pyetjen “nëse njerëzit në studim po hanin një sasi kaq të vogël perimesh, çfarë tjetër po hanin dhe sa i ka ngatërruar kjo rezultatet”.

Edhe profesori Gunter Kuhnle ka vënë në dukje ndikimin e zgjedhjeve alternative të ushqimit.

“Njerëzit që nuk hanë perime, hanë diçka tjetër dhe kur vlerësohet efekti shëndetësor i ngrënies së perimeve, është e rëndësishme të merret parasysh se me çfarë zëvendësohen”, ka sqaruar ai.

Për Kuhnle, ky studim i fundit është “shumë interesant, por jo një studim që duhet përdorur si justifikim për të ndaluar ngrënien e perimeve”.

“Këshilla më e mirë që mund t’u japim njerëzve është të përqendrohen në të gjithë dietën e tyre”, ka theksuar Lichtenstein.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore