Lajme

Përgjime nga Policia – në Izrael u përdor “Pegasus” ndaj zyrtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve


Sipas një raporti të “Calcalist” të hënën, policia izraelite ka përdorur programin spiun “Pegasus të NSO-së” për të përgjuar telefonat e figurave publike, duke përfshirë politikanë, gazetarë, aktivistë, punonjësit e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Në raport thuhej se mjeti i hakerimit është përdorur pa urdhër gjykate dhe kundër djalit të Netanyahu-t, Avner Netanyahu, i bashkëpandehuri në gjyqin e tij penal Iris Elovitch, liderëve të protestave për të drejtat e aftësisë së kufizuar, gazetarëve në “website”-in e lajmeve Walla, biznesmenit Rami Levy, kryetarëve të bashkive dhe zyrtarë të lartë në Ministrinë e Financave.

Këshilltarët e medias së Netanyahu-t, Topaz Luk dhe Yonatan Urich ishin gjithashtu në shënjestër, së bashku me kreun e Sindikatës së Punëtorëve Yair Katz.

Telefonat e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Shai Babed, ish-drejtores së përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Emi Palmor, dhe ish-drejtores së Përgjithshme të Ministrisë së Transportit, Karen Turner, raportohet se janë përgjuar gjithashtu.

Ministrja e Brendshme, Ayelet Shaked, bëri thirrje për të krijuar një komision të jashtëm hetimor për raportet.

Në janar, Tomer Ganon i Calcalist publikoi një seri artikujsh, ku jepte detaje sesi Policia e Izraelit përdori “spyware”-in famëkeq kundër qytetarëve izraelitë për vite me radhë pa një urdhër apo urdhër gjykate.

Të martën, Policia e Izraelit pranoi keqpërdorimin e programit “spyware”. Burime në forcat e rendit thanë se keqpërdorimi ka ndodhur gjatë mandatit të ish-komisarit të policisë, Roni Alsheich.

Të nesërmen, mediat raportuan se policia përdori “spyware” për të nxjerrë informacion nga telefoni i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Ministrisë së Komunikimeve, Shlomo Filber, i cili më vonë u bë dëshmitar i shtetit dhe që pritet të dëshmojë në çështjen Bezeq-Walla në të cilën Netanyahu është i akuzuar.

Pas raportimit, avokatët mbrojtës të të pandehurve në çështjen 4 mijë të Netanyahu-t, Iris dhe Shaul Elovitch, pritet të kërkojnë shtyrjen e dëshmisë së Filber-it, e cila supozohej të fillonte javën e ardhshme.

Prokurorët nuk kanë vendosur ende nëse do të mbështesin shtyrjen, pasi presin detaje nga policia në lidhje me mënyrën dhe shtrirjen e përdorimit të “spyware”.

Pyetja kryesore është nëse informacioni i nxjerrë në këtë mënyrë është përdorur gjatë hetimit, me policinë që pretendon se njësia që përdori këtë “spyware” nuk ua transferoi materialin hetuesve.

“Spyware Pegasus” u lejon operatorëve të tij të aksesojnë nga distanca telefonat celularë të infektuar me “softwer”-in.

I shitur tek agjencitë e inteligjencës dhe të zbatimit të ligjit në të gjithë botën, “spyware” shfrytëzon dobësitë e sigurisë në sistemet operative “Android” dhe “iPhone” për të fituar akses në përmbajtjen e pajisjes – nga mesazhet te fotot.

Programi gjithashtu mundëson aktivizimin në distancë të kamerës dhe mikrofonit të telefonit, pa dijeninë e viktimës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore