Lajme

Projekti Pegasus: Snowden bën thirrje për ndalim të tregtisë së “spyware-s”


Sinjalizuesi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-ve (NSA), Edward Snowden, në një seri tweet-esh, ka bërë thirrje për ndalimin tregtar të spyware-s pas publikimit të një liste të numrave të telefonit, të mbikëqyrura nga kompania izraelite NSO Group.

Ish-këshilltari i inteligjencës kompjuterike i dha “zë” për herë të parë mbikëqyrjes masive sekrete të NSA-së mbi popullsinë amerikane.

Ai është pro ndalimit total të tregtisë së software-ve të tillë spiunimi dhe kompanive që e tregtojnë.

“Nëse nuk bëjmë asgjë për të ndaluar shitjen e kësaj teknologjie, nuk do të ketë vetëm 50 mijë objektiva. Do të jenë 50 milionë objektivë dhe do të ndodhë shumë më shpejt nga sa presim ne”, tha Snowden në një cicërimë të hënën.

Software i spiunimit, i njohur ndryshe si Pegasus dhe i shitur nga NSO Group – një kompani izraelite që prodhon dhe shet spyware për qeveritë në të gjithë botën – mund të jetë përdorur nga regjimet autoritare për të sulmuar telefonët e gazetarëve, avokatëve, aktivistëve dhe politikanëve.

Sipas organizatës jofitimprurëse “Forbidden Stories” dhe Amnesty International, të cilët ndanë gjetjet e hetimit me disa partnerë mediatikë, 50 mijë qytetarë mund të jenë shënjestruar duke përdorur spyware-n Pegasus, për të cilin NSO Group thotë se do të përdoret kundër kriminelëve dhe terroristëve.

Kjo listë përfshin më shumë se 300 numra celularë indianë, përfshirë ata që përdoren nga ministrat, udhëheqësit e partive të opozitës, gazetarët, avokatët, aktivistët, zyrtarët e qeverisë, shkencëtarët dhe biznesmenët.

Lista e njerëzve përfshinte gjithashtu dy gra të afërta me gazetarin saudit Jamal Khashoggi i cili u vra në 2018.

“Kompania izraelite NSO në mënyrë të përsëritur ka mohuar të ketë pasur ndonjë lidhje me vrasjen e Khashoggi-t, por prova të reja konfirmojnë se telefonat e grave qendrore në jetën e tij ishin hack-uar para vrasjes së tij”, shkroi Snowden.

Denoncuesi i NSA-së shtoi se Grupi NSO duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjet që ai pretendoi se mund të kishin rezultuar nga përdorimi i software-t të tyre.

“Ne nuk lejojmë një treg komercial në armët bërthamore. Nëse doni të mbroni veten duhet të ndryshoni lojën, dhe mënyra sesi e bëjmë ne është duke i dhënë fund këtij shkëmbimi”, vuri në dukje ai në një tweet tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore