Shqipëria

Përgëzoj prindërit dhe mësuesit që përcjellin te fëmijët shqipen, thotë Begaj


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ka apeluar për ruajtjen, pasurimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe.

Sidomos në kushtet e tanishme kur shumë shqiptarë jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe të një ndërveprimi të pandalshëm me gjuhët e tjera.

Ndaj dhe Begaj ka ndarë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook vlerësimin për shqiptarët që e kanë ruajtur dhe trashëguar gjuhën ndër shekuj.

Presidenti ka përgëzuar në veçanti shqiptarët që ndër vite jetojnë jashtë vendit, prindërit dhe mësuesit, të cilët, krahas bashkëjetesës me kulturat e popujve të ndryshëm në shtetet ku jetojnë, arrijnë të ruajnë gjuhën amtare si identitet kombëtar.

“Është mbresëlënës dhe unikal çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Shqiptarët kudo në botë e ruajnë dhe e trashëgojnë gjuhën si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar.  Sot, në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë Gjuhën Shqype”, ka shkruar Presidenti.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare Presidenti Begaj shpërndau dhe një material filmik, ku fëmijë, lindur e rritur në shtete të ndryshme të botës, interpretojnë vargjet e poezisë “Gjuha Shqype” të Ndre Mjedës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore