Lajme

Përfundon aksioni i Policisë në Veri dhe në Shtërpcë, arrestohen 11 persona


Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut

Në aksionin e realizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, këtë të premte në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Shtërpcës janë arrestuar 11 shtetas të Kosovës, nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar.

Gjatë aksionit janë kryer kontrolle në katër lokacione, respektivisht tre në komunën e Shtërpcës dhe një në Mitrovicën e Veriut, ku është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial, i cili ka qenë i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se malli i kontrabanduar është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë sekuestruar tri automjete.

“Hetimet intensive kane filluar në fund të vitit 2021, me autorizim të prokurorisë, ndaj disa të dyshuarve shtetas kosovarë, me dyshim të kryerjes së veprës penale ‘tregti e ndaluar’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Gjate kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial (gjera ushqimore, pije alkoolike, duhan etj.) mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës. Në konsultim me Prokurorin e Shteti, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar njëmbëdhjetë meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete”, vazhdon njoftimi.

Disa nga produktet e konfiskuara nga Policia e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore