Shqipëria

Përfundon afati i bojkotit, avokatët iu rikthehen seancave gjyqësore për caktim mase


Afati dhjetë ditor i vendosur nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë për bojkotimin e gjyqeve të masave të sigurimit ka përfunduar.

18 korriku ka qenë afati përfundimtar, duke bërë që avokatët në gjithë vendin të marrin pjesë në seancat gjyqësore për caktim mase teksa vijon bojkoti pa afat për gjyqet në themel.

Ndërsa të enjten që vjen do të ketë një tjetër mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm për të përcaktuar se si do të vijohet me bojkotin.

Takimi do të zhvillohet më 21 korrik në orën 11:30, vetëm një ditë para mbledhjes së paralajmëruar të Komitetit të Disiplinës.

Pak ditë më parë, ai vendosi pezullimin e licencës për një avokat nga Fieri, që kishte shkelur bojkotin, ndërsa nga 14 të tjerët, 11 shfrytëzuan kuadrin ligjor me kërkesën për më tepër kohë që të njiheshin me akuzat.

Kurse për tre të tjerë u vendos rrëzimi i kërkesës për masë disipline.

Prej javësh, avokatët në të gjithë vendin protestojnë kundër draftit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë, që parashikon uljen drastike të numrit të gjykatave në vend.

Aktualisht, kanë kaluar tre faza bojkoti, një protestë masive para dyerve të KLGJ-së dhe thirrje të vazhdueshme për të mos u miratuar ashtu siç është parashikuar drafti.

Mirëpo, vazhdimisht kanë ndeshur në mospërfillje nga vendimmarrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore