Kosova

Perez: BE-ja ta çojë përpara aplikimin e Kosovës dhe ta ndëshkojë Serbinë


Ilustrim

Alejandro Esteso Perez, njohës i zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në një raport të fundit mbi Kosovën, Serbinë dhe Hungarinë, tha se Bashkimi Evropian (BE) duhet ta çojë përpara aplikimin e Kosovës, ndërsa kërkoi nga shtetet anëtare ta ndëshkojnë obstruksionizmin e Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

“Këshilli i Jashtëm i BE-së duhet të parashtrojë diskutimin për kandidaturën e Kosovës dhe t’i kërkojë Komisionit Evropian (KE) të nxjerrë një opinion për këtë çështje”, shkroi Perez në një raport të fundit, ndërsa sa i përket Serbisë, shtoi se shtetet anëtare të BE-së duhet të kapërcejnë skepticizmin dhe ta ndëshkojnë Serbinë për shkak të obstruksionizmit të theksuar.

“Ekzistojnë prova të qarta se mosndëshkimi për Serbinë trimëron Hungarinë dhe anasjelltas. Për të anashkaluar veton e mundshme hungareze kundër sanksioneve të mundshme ndaj Serbisë, qoftë përmes ngrirjes së fondeve, ngrirjes së aseteve ose ndalimeve të udhëtimit, Sstetet Anëtare mund të miratojnë masa politike dhe ekonomike të një natyre dypalëshe”, potencoi ai.

Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja ende s’ka marrë ndonjë vendim se si do të procedohet tutje. Dhe arsye për këtë janë tensionet e vazhdueshme midis Prishtinës dhe Beogradit. E gjasat që BE-ja t’i vendosë sanksione Serbisë konsiderohen pothuajse minimale për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së.

Perez kërkoi ndër të tjera që BE-ja të hetojë në mënyrë të pavarur sulmin paramilitar të vitit të kaluar në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovë, duke shtuar se në përputhje me rrethanat aktuale të vendosë sanksione kundër përgjegjësve.

“Sulmi në Banjska është një çështje e BE-së dhe duhet të hetohet plotësisht. KE-ja duhet të ndjekë rezolutën e Parlamentit Evropian (PE) të 19 tetorit dhe të ndjekë një hetim të pavarur për ngjarjet e 24 shtatorit për të sqaruar faktet dhe motivet pas sulmit, pastaj në përputhje me rrethanat të vendosë sanksione kundër autorëve”, konsideroi studiuese spanjoll.

Ndryshe, autoritetet kosovare pretendojnë se u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e trazuar të vendit. Por, zyrtarë të BE-së pretendojnë se ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore