Sport

Perëndimi i Agimit


Vetëm pesë ditë pas u lirua nga akuza për detyrim, Agim Ademi u prangos nga policia nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i besimit dhe Shmangie nga Tatimi” që lidhen me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Për këto vepra, kryetari i FFK-së, sipas Kodit Penal të Kosovës, mund të dënohet deri në tetë vjet burgim në kohë kur federata që e drejton nuk është licencuar ende nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pasi dyshohet për shantazh dhe shpifje ndaj Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive – i cili vepron nën ombrellën MKRS-s.

Biznesmeni që drejton FFK-në u rizgjedh kryetar në prill të vitit të kaluar në një Kuvend Kuvendin Zgjedhor të kontestuar, meqë ishte akuzuar se ka rrahur zyrtarin e FFK-së, Artan Govorin, por edhe ish-sekretarin Eroll Salihu.

Ky i fundit, thotë për Albanian Post se nuk do të flas për këtë çështje, por shton se beson fuqishëm në organet e drejtësisë së do të veprojnë në bazë të ligjit.

“Askush nuk ka faj që kryetari i FFK së ka probleme me ligjin tash e 11 vjet dhe FFK ka probleme të vazhdueshme për shkak të kësaj. Tani po hetohet edhe për dy vepra penale që i ka kryer brenda FFK-së”, theksoi ai për AP.

Tash sipas Salihut, licencimi i FFK-së, “po dështon dhe qindra mijëra euro janë humbur për shkak të Agim Ademit”.

“Nuk ka investime kapitale, licencat e trajnerëve kanë ngecur, financat janë të mjerueshme dhe keqpërdorimet e pretenduara dhe skandalet s’kanë të ndalur”, shtoi Salihu.

“FFK nuk mund të udhëhiqet më nga këta persona dhe dëmet janë të dhimbshme”, insiston ish-sekretari i FFK-së.

Për ish-zëvendës/sekretarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmetin, arrestimi i Ademit “është lajmi me i keq në vazhdën e shumë lajmeve skandaloze që ishin rreth këtij njeriu”.

“Federata e Futbollit e Kosovës tash e një kohë të gjate është teme në të gjitha mediumet e vendit, fatkeqësisht jo për rezultate sportive, të arritura në fushën e Futbollit, por për lajme të fushës korruptove, keqpërdorime, evazion fiskal, e çka jo tjetër”, tregon Ahmeti.

“Kjo që ndodhi dje me kreun e FFK’së është për keqardhje dhe reflektim i gjithë punës të cilën e beri ky njeri nga marrja e postit te FFK’së. FFK ka humbur kredibilitetin që e kishte, ka humbur entuziazmin sportiv, ka humbur krejt shkëlqimin dhe krenarinë qe e kishte në gjithë popullatën e Kosovës e më gjerë”.

Ahemti thekson se “Agim Ademi tash e një kohe është e keqja me e madhe qe i ka ndodhur Futbollit ne Kosovës”.

“Ky nuk ka nevojë të jap dorëheqje, sepse ky nuk përfaqëson asgjë në fushën e Futbollit. FFK le që është temë ne fushën korruptive nepër media, Po tani pikërisht ky njeri i rrezikon seriozisht Klubet që edhe të shuhen krejt, dhe të shkojnë drejt bankrotimit, duke qenë pengesë tash e një kohë të gjatë për mos licencim, ndërsa viti fiskal përfundon me 31.03.2023 te gjitha sponsorizimet e vitit 2022 veç se kanë humbur, Klubet dhe Federata tani do t’i nënshtrohen procedurave përmbarimore, Gjyqësore lidhur me Ndërmarrjet te cilat veç se i kanë derdhur mjetet e tyre e tani nuk munden të pajisen me vërtetime nga MKRS për lirimin nga tatimi në fitim”.

Arianit Ahmeti

Ai insiston se klubet duhet urgjent te mblidhen te gjejnë njeriun e duhur i cili përfaqëson “unitetin e përgjithshëm”.

Ndërsa analisti i sportit Driton Latifi, përkundër kritikave të Salihut dhe Ahemtit, ka fjalë pozitive për punën e Ademit, duke potencuar se “unë besoj madje se është banalizuar me kritika ndaj tij, duke u shndërruar në një tabelë të lehtë qitjeje, thënë në aspektin figurativ”.

“Kryetari Ademi ka një jetë kushtuar futbollit, ka një mirëqenie të lartë të jetës dhe një kontribut edhe në zhvillimet e jetës politike duke qenë afër ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe pjesë e luftës në këto situata edhe pse me shumë sfida, besoj se pasioni i tij për futbollin është më i madh se dorëzimi”, tha Latifi për AP.

“Personalisht ndoshta edhe do të dorëhiqesha, por gjithmonë është ai uni personal për të mos u larguar në kohët me presionin më të madh pasi që ndonjëherë këto janë edhe bindje personale”.

Driton Latifi

Gazetari Latifi mendon se kryetari Ademi ka ditur të jetë i hapur, por edhe i kufizuar, por thekson se “nuk e kam ndonjë vlerësim të plotë”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore , duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit.

“Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin.

Derisa këtë e konfirmoi edhe raporti 24 orësh i Policisë, ku thuhet se kreu i futbollit kosovar dyshohet për veprat e lartcekura.

Ndërsa pas shumë zhurmave dhe debateve, gjatë muajit prill të vitit të kaluar, Agim Ademi ishte rizgjedhur kryetar me një mandat katërvjeçar.

Kandidat i vetëm për kryetar ishte Ademi, i cili nga 43 delegatë të pranishëm mori 42 vota dhe 1 abasenim duke e marr një mandat të plotë katërvjeçar për ta udhëhequr FFK-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore