Lajme

Përdorimi i plastikës së hedhur për të zëvendësuar rërën


A ka bota mungesë rëre? Kjo mund t’ju tingëllojë si një pyetje e veçantë. Por, në shkrimin e agjencisë së lajmeve “BBC” jepet një shpjegim i gjerë i përdorimit të rërës dhe mënyrën sesi mund të zëvendësohet.

Mbi të gjitha, rëra mbulon hapësira të mëdha të plazheve dhe shkretëtirave në të gjithë botën.

Megjithatë lënda e parë përdoret në sasi gjigante në ndërtim dhe prodhim. Vetëm në sektorin e ndërtimit, 40-50 miliardë ton rërë përdoren në të gjithë botën, çdo vit.

Kjo udhëhiqet nga prodhimi i betonit, i cili zakonisht përbëhet nga rreth 25% rërë.

Problemi kur bëhet fjalë për furnizim është se shumica e rërës së shkretëtirës ose e plazhit është e papërshtatshme. Kjo, sepse rëra e shkretëtirës është shumë e lëmuar dhe rëra e plazhit ka shumë kripë në të.

Kjo do të thotë që, zakonisht, rëra merret nga lumenjtë dhe për shkak të dëmtimit mjedisor që shkakton një numër vendesh e kanë ndaluar diçka të tillë.

Ndalimi i grumbullimit të rërës në disa shtete ka goditur kombet që kanë bume ndërtimi, si Kina dhe India, të cilat ndërtimin e kanë sektorin më të madh të ekonomisë.

Mungesat e rërës në Indi vazhdojnë të ushqejnë një rritje të madhe të minierave të paligjshme të rërës, të kontrolluara nga bandat kriminale, të njohura si “mafiet e rërës”.

Këto grupe janë akuzuar për dhjetëra vrasje, përfshirë vrasjen e vitit 2015 të gazetarit hulumtues Jagendra Singh.

“Njerëzit nuk e kuptojnë, ose nuk u bën përshtypje, që ka një mungesë rëre”, thotë Shobha Bhatia, një pedagoge e inxhinierisë civile dhe mjedisit në Universitetin e Sirakuzës.

“Çështja është ndërtimi. Ne po ndërtojmë qytete dhe qyteza me një ritëm të paparë”, shton ajo.

“Por shumë prej nesh gjithashtu nuk e kuptojnë se rëra përdoret për gjëra të tilla si ekranet e smartphone-ve dhe TV-ve, panele diellore dhe sende të tjera elektrike”, thotë ajo.

Në përpjekje për të zvogëluar nevojën për rërë, një numër i vogël, por në rritje i studiuesve po i drejtohen teknologjisë dhe inovacionit për kërkimin e alternativave.

Dr. John Orr, një pedagog në strukturat e betonit në Universitetin e Kembrixhit, gjatë një hulumtimi zbuloi se mbetjet plastike mund të renditen, pastrohen, copëtohen dhe shtypen, duke krijuar një alternativë rëre për përdorim në beton.

Ai ka parë në mënyrë specifike në ndikimin e mundshëm të këtij procesi në Indi. Atje kostoja e rërës është në stratosferë – ndërsa në të njëjtën kohë vlerësimet sugjerojnë se 15 mijë ton mbeturina plastike hidhen çdo ditë në vend.

“Ne zbuluam se 10% e rërës në beton mund të zëvendësohet deri në 10% me plastikën dhe ajo ka të njëjtën forcë e të njëjtën jetëgjatësi”, thotë Dr. Orr.

“Nga perspektiva e kostos, përdorimi i plastikës mund të jetë më i lirë, veçanërisht pasi rërës i rritet çmimi tani që po pakësohet. Për vendet si Britania e Madhe kjo nuk është problem, pasi nuk ndërton shumë, por në kombet me një bum ndërtimi, përdorimi i plastikës në beton mund të gjejë zbatim të gjerë”.

Dr. Orr mendon se nëse përdorimi i plastikës në prodhimin e betonit miratohet në të gjithë Indinë, kjo mund të kursejë 820 milionë tonë rërë në vit.

Në të njëjtën kohë, kërkime të tjera janë duke u bërë në përdorimin e materialeve të tjera të mbeturinave në vend të rërës, të tilla si gomat e vjetra të copëtuara të makinave ose xhamat e thyer.

Pavarësisht nga këto risi, Dr. Orr dhe ekspertë të tjerë paralajmërojnë se nuk duhet mbështetur shumë bë këto mënyra alternative. Në vend të kësaj ata janë të mendimit se ndryshimet në projektin e ndërtesave mund të jenë zgjidhje afatgjate dhe e vlefshme.

Ndër zgjidhjet e tjera të mundshme, Vince Beiser, autor i “Bota në një kokërr: Historia e rërës dhe si e transformoi civilizimin”, shpjegon se duhet krijuar një organizëm ndërkombëtar i certifikimit të rërës i ngjashëm me Këshillin e Mbikëqyrjes së Pyjeve, i cili vërteton që druri vjen nga pyjet e menaxhuara me përgjegjësi.

Në fund të fundit do të kërkojë një përpjekje kolektive nga individë, qeveri kombëtare dhe organizata ndërkombëtare për të ulur ndjeshëm kërkesën globale për rërë, thotë ai.

Si një shembull i veprimeve që individët mund të ndërmarrin për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës botërore të rërës, Beiser vëren se edhe një ulje prej 10% e numrit të makinave në rrugë – e kombinuar me përdorimin e transportit publik – do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm .

“Kjo do të thotë 10% më pak shtëpi që duhet të ndërtohen me garazhe dhe rrugë kalimi, duke kursyer qindra tonë rërë për shtëpi”, thotë ai.

“Kjo gjithashtu do të thotë që mund të ndërtohen struktura parkimi 10% më të vogla – kjo është miliona tonë beton çdo vit.”

Sidoqoftë,  Beiser thekson se ulja e kërkesës për rërë duhet të shihet si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zvogëluar konsumin e tepërt të burimeve natyrore.

“Rëra është me të vërtetë vetëm një simptomë e një problemi më të madh. Nuk është vetëm se ne po përdorim shumë rërë, por ne po përdorim shumë nga gjithçka”.

“Ne jemi duke përdorur të gjitha burimet e planetit me një ritëm që nuk mund të vazhdojë kështu”.

“Shumë nga këto probleme janë të ndërlidhura dhe zgjidhjet duhet të jenë gjithashtu.”

Marrë dhe përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore