Lajme

Përdorim i drogave – Kosova ende pa qendër të rehabilitimit


Ilustrim.

Më 11 nëntor, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë e Shtetit kanë realizuar një operacion të suksesshëm policor në luftën kundër trafikimit me narkotikë me ç’rast janë arrestuar pesë persona dhe janë konfiskuar mbi 75 kilogramë marihuanë.

Në një përgjigje për Albanian Post, PK-ja ka bërë të ditur numrin e rasteve dhe sasitë e konfiskuara të llojeve të ndryshme narkotike për vitin 2021.

“Marihuanë 322 kg 231 kg, kokainë 413.Kg 076 gr, heroinë, 1 kg 894 gr, kanabis sativa (bimë) 1 mijë e 502”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Numri i raste të tilla në Kosovë që kanë qenë gjatë vitit 2021 është 626 në total, ndërsa numri i personave të arrestuar për vepra të tilla është 670.

Por, brenda këtyre të dhënave nuk hyjnë edhe rasti që është raportuar më 11 nëntor.

Pavarësisht kësaj, Kosova nuk ka qendër rehabilitimi për personat që kanë krijuar varësi nga substancat narkotike.

Në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Klinikën Psikiatrike, janë të ndara disa dhoma, në të cilat marrin trajtim këta persona dhe kanë të drejtë të qëndrojnë nga 7 deri në 10 ditë.

Konfiskimi i drogës dhe marihuanës.
Institucionet pak të interesuara për parandalimin e përdorimit të drogave

Udhëheqësi i qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, Safet Blakaj, për Albanian Post, ka deklaruar se në Kosovë në këto tri vite të fundit ka rritje të përdorimit të drogave, e sidomos te fëmijët.

“Kryesisht kanabisi ose marihuana në të gjithë territorin e Kosovës, për më keq edhe tipi i llojit të drogës kokainë që ka një rritje shumë të shpejtë të përdorimit dhe ka filluar tek të rinjtë dhe deri tek fëmijët”, ka thënë Blakaj.

Ai ka treguar se përdorimi i substancës kokainë është rritur në muajt e fundit.

“Ka qenë mosha mesatare e përdorimit të kokainës, ka qenë dukshëm e madhe, ndërsa, këtë vit kemi vërejtur, që rastet e fundit, dhe në muajt e fundit janë kryesisht të moshës, 18 vjeçare deri në 23 vjeç, dhe kjo po na shqetëson shumë”.

Kosova nuk ka qendër rehabilitimi për personat që kanë krijuar varësi nga substancat narkotike.

Tipi i drogës kanabis ka shtrije gjithandej dhe në të gjitha qytetet, ka thënë Blakaj, por edhe në pjesët rurale.

Sipas Blakaj, sa i përket kokainës natyrisht është e koncentruar shumë në kryeqytet në Prishtinë, ka përdorim të gjerë në këto dy vite të fundit, dhe po ashtu edhe në të tjerat qytete.

“Por, në qytetet e mëdha dukshëm po vërehet, përdorimi edhe i drogave që ne e quajmë drogëra toksike ku hyjnë ekstazi, dhe po ashtu ka filluar të përdorët edhe Amfetaminat që quhet spid”.

Ndërsa ka kritikuar institucionet e Kosovës se nuk kanë realizuar asnjë planë parandalues për përhapjen e këtyre dukurive.

“Kemi shumë problem në Kosovë me programet parandaluese, dhe nuk ekzistojnë programet parandaluese të përdorimit të drogërave në nivel nacional ose kombëtar dhe të vetdisohemi po ashtu na duhet një program i përgjithshëm që përfshinë gjithë territorin dhe që është afat gjatë”, tha tutje Blakaj.

Si realizohen operacionet e policisë së Kosovës për parandalimin e  kontrabandimit të drogës?

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, i pyetur nga Albanian Post sqaroi rrugët që Policia e Kosovës ndjek për të realizuar operacione të tilla policore.

“Policia e Kosovës, përmes rrugëve operative dhe informuese që arrin të kap duke shfrytëzuar gjitha mundësitë ligjore arrin që të zbuloj gjurmët e grupeve kriminale që merren me fushëveprimtarin, drogën dhe substanca të tjera narkotike”, deklaroi Shala.

Kurse, theksoi se parandalimi në luftimin e këtyre grupeve kriminale bëhet përmes bashkëpunimit të institucioneve.

“Parandalimi në luftimin e këtyre grupeve kriminale bëhet përmes bashkërendimit të institucioneve të sigurisë brenda territorit të vendit dhe një shkëmbim të informacioneve në nivel rajonal duke shfrytëzuar prioritetin e luftimit transnacional”.

Më 12 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesë të pandehurve B.B., S.H., M.S., D.M dhe S.S.

Policia e Kosovës.

Për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Sidoqoftë, në Kosovë llogaritet se janë mbi 5 mijë përdorues të drogave të cilët i përdorin në mënyrë aktive këto substanca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore