Kosova

Përballja me përdhunuesin serb – rrëfimi dykohësh i gruas kosovare


Ilustrim

Gruaja kosovare me inicialet B.K. viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën.

Zoran Vukotiç, i cili u dënua gjatë ditës së hënë me 10 vjet burg, ishte i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale ndaj kosovares me iniciale B.K.

Ajo çfarë i ndodhi viktimës iu bë barrë e përditshme, por kurrë nuk u dorëzua dhe u përball me të vërtetën e tmerrshme që i ndodhi para 22 vitesh.

Viktima rrëfen për takimin e parë me përdhunuesin e saj, duke treguar se nuk është ndjerë mirë por ka qëndruar e fortë.

“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka dhënë Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari”, thotë ajo.

Më tej ajo tregon se kur ka ndodhur akti i dhunimit ka qenë shtatzënë, dhe se ka humbur dy djem.

“Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem”.

“Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin”, vijon rrëfimin ajo.

Viktima thotë se drejtësia ka një vlerë shumë të madhe për të.

“Drejtësia për mua do të thotë gjithçka, që 21 vjet kërkoj drejtësi, më në fund besoj se erdh ajo ditë. Po shpresoj se ka ardhur ajo ditë sepse kam vuajtur shumë. Shumë kam vuajtur. Shumë”.

“Por, ia kam dalë me përkrahjen e bashkëshortit tim, ia kam dalë gjithçka. Sepse, edhe ai të mos ishte përkrahja ime, unë sot nuk do të isha. Sepse unë disa herë kam dashur që të bëjë vetëvrasje. Por falë Zotit dhe tij, sot jam edhe më e fortë”, thotë ajo më tej.

Pavarësisht dënimit, e mbijetuara e cila është rrëfyer për KosovaPress-in, ka thënë se vuajtjet e shumë grave dhe burrave nga Kosova do të mbesin të pashlyera.

B.K tash e dy vjet edhe ligjërisht ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Numri i viktimave të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë mendohet të jetë rreth 20 mijë persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore