Shqipëria

Për zgjedhje u regjistruan 31 kallëzime penale, thotë prokuroria


Prokuroria e Përgjithshme deklaroi të premten e 19 majit se janë regjistruar gjithsej 31 kallëzime penale për zgjedhjet vendore, nga të cilat nëntë kanë ardhur nga subjektet politike dhe institucione ndërsa 21 kallëzime nga Policia.

Institucioni i drejtësisë bëri me dije gjithashtu se dy procedime penale nga Prokuroria e Beratit dhe një nga Prokuroria e Vlorës i kanë kaluar SPAK-ut për moskompetencë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve zbuloi më herët se tre bashki të Shqipërisë me shumë mundësi do t’ju nënshtrohen procesit të rinumërimit pas zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Bëhet fjalë për Rrogozhinën, Himarën, dhe Belshin.

Aty numri i votave të pavlefshme është shumë më i lartë se diferenca mes kandidatëve.

Në Rrogozhinë, kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, fitoi me 30 vota diferencë nga Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por votat e pavlefshme arrijnë deri në 276.

Edhe në Belsh numri i votave të pavlefshme është plot 228, por diferenca mes kandidatëve është më e madhe se në Rrogozhinë.

Himara ka diferencën më të ngushtë.

Fredi Beleri nga koalicioni fitoi me 19 vota plus, por në këtë bashki kanë rezultuar 165 vota të pavlefshme.

Sipas komisionerit shtetëror, Ilirjan Celibashi, këto vota të pavlefshme nuk i çojnë automatikisht për rinumërim këto tre bashki, por përbëjnë një ndër arsyet për ta realizuar një proces të tillë.

Në të gjitha bashkitë e vendit, nga fletët e votimit për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë, rezultojnë 22 mijë e 265 vota të pavlefshme.

Rezultatet

Partia Socialiste, jo vetëm që e ka ruajtur kuotën e saj në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, por e ka rritur numrin e votave të marra në krahasim me ato të shkuara, edhe kur bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare.

Një krahasim me vitin 2019 për 61 bashkitë e vendit nuk do të ishte i drejtë, për shkak se gara reale mungoi aty, me bojkotimin e zgjedhjeve nga Partia Demokratike.

Mirëpo, nëse do të marrim të mirëqena zgjedhjet e shkuara parlamentare, ato të vitit 2021, do të shohim se socialistët në tërësi kanë marrë 768 mijë e 134 vota.

Ndërsa, dy vjet më vonë, në zgjedhjet e 14 majit, kuota e tyre është 786 mijë e 566 vota. Pra, një rritje thuajse me 20 mijë vota, tregues se të majtët nuk bëjnë lëshime, pavarësisht konsumimit 10-vjeçar të gjithë pushteteve.

Është e djathta në realitet ajo që shqetëson, e cila ka shqetësuar më parë, kur ishte e papërçarë dhe lëngon edhe më keq tashmë, me përçarjen e madhe të kampeve.

Epërsi e qartë është ajo e grupimit të Sali Berishës, i cili me koalicionin Bashkë Fitojmë, mblodhi 501 mijë vota.

Ndërsa, Partia Demokratike, të paktën në votat për kandidatët, ka arritur të marrë vetëm 36 mijë e 852 vota – një shifër qesharake për një forcë kaq historike politike në vend.

Fundja, një e re e sapo-krijuar, Lëvizja Bashkë, me një kandidat të vetëm në një bashki, atë të Tiranës, ku garoi Arlind Qori, arriti të marrë 13 mijë e 842 vota.

Me këtë shifër, në kryeqytet, Qori e tejkaloi madje edhe kandidatin e Partisë zyrtare Demokratike, Roland Bejko.

Problemi real gjithsesi nuk është ky, por treguesi se në vitin 2021, në zgjedhjet parlamentare, PD-ja kishte arritur të merrte 622 mijë vota,në një koalicion me aleatë të vegjël, të cilët i përfshiu në listë.

Vetëm nga kjo e dhënë, reflektohet se ka një rënie thuajse prej 100 mijë votash për opozitën.

Por fakti është se sot, Berisha që përfaqëson të djathtën, garon në ortakëri me Ilir Metën, nën siglën e koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Meta, në zgjedhjet e 2021-shit, duke llogaritur se ai ishte president asokohe por Lëvizja Socialiste për Integrim që drejtonte përfaqësohej me imazhin e tij në mënyrë morale, kishte mbledhur 107 mijë e 538 vota.

Kështu, ndryshorja e rënies opozitare është edhe më absurde, duke shkuar në një kuotë prej 200 mijë votash minus dhe në një palë zgjedhje vendore, ku thuhet se numri i pjesëmarrësve në votime ka rënë, por partia pushtetare është rritur në kuotë, duhet menduar mirë se kujt pesha i takon, rreth përgjegjësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore