Lajme

Për Zelensky-n, diskutimet me presidentin e Këshillit Evropian ishin përmbajtësore


Për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, diskutimet me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel ishin “përmbajtësore” në lidhje me mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Zelensky ka zbuluar se bashkë me Michel kanë diskutuar mënyrat specifike që BE-ja mund të ndihmojë Ukrainën, në lidhje me ofrimin e ndihmës.

Sidomos për mbrojtjen, financat dhe sanksionet.

“Një temë tjetër e madhe e diskutimit tonë është avancimi drejt integrimit”, ka thënë Zelensky.

“Kemi vërtetuar tashmë se institucionet shtetërore dhe qytetare ukrainase janë mjaft efektive për t’i bërë ballë një sprove lufte”, ka shtuar ai.

Dhe se është bërë shumë për mbrojtjen e lirisë në kontinentin evropian.

Po ashtu dyshja ka diskutuar hapat specifikë për të rivendosur Ukrainën pas luftës.

Dhe se si BE-ja dhe Ukraina mund të punojnë së bashku për të zvogëluar kërcënimet nga Rusia në lidhje me ushqimin, energjinë dhe sigurinë në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.

“Për të rifilluar eksportin e produkteve agrare të Ukrainës dhe për të pamundësuar shantazhimin e Rusisë me burimet energjetike, këto janë prioritetet kryesore për të gjithë në kontinent”, ka veçuar Zelensky.

Sipas tij, pasi Michel dhe ekipi i tij vizituan Borodianka në rajonin e Kiev-it, “dolën një përfundim shumë të saktë: nuk mund të ketë paqe pa drejtësi”.

Gjithashtu presidenti ukrainas ka zbuluar se ka diskutuar edhe mbi forcimin e sanksioneve.

“Aktualisht BE-ja po punon për paketën e gjashtë të sanksioneve. E diskutuam këtë çështje me Charles Michel”, ka shtuar.

Nga ana tjetër, Zelensky ka dalluar se në të gjitha negociatat, ka theksuar se sanksionet nuk duhen si qëllim në vetvete, por si një “instrument për ta bërë Rusinë të kërkojë paqen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore