Lajme

Për vetëm 7 vjet, më shumë se 240 mijë serbë kanë ikur nga Serbia


Emigracioni në rritje në Serbi

Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Serbisë, rrjetet e tij sociale i ka shndërruar në platforma “profetike” të “punës së tij të mirë” me një reprezentacion filmik të “ndryshimit rrënjësor të jetës së serbëve”.

Mirëpo, realiteti është krejtësisht ndryshe.

Sipas të dhënave të Agjensisë së Statitistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), vetëm nga viti 2013 deri në 2020, më shumë se 240 mijë njerëz kanë emigruar jashtë Serbisë.

Kjo periudhë, “çuditërisht”, koincidon me të qënit në pushtet të Aleksandër Vuçiçit, i cili, udhëheqjen e Serbisë nga partia e tij, e quan “mrekulli”.

Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandër Vuçiç në shpalljen e fitores së zgjedhjeve në Serbi 22/06/2020

Në një kolumne të shkruar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, së fundi ka paralajmëruar për të dhëna alarmante kur bëhet fjalë për Serbinë, duke shkruar edhe se “të rinjtë dhe të arsimuarit” duhet të votojnë kundër presidentit aktual të Serbisë.

Pushteti i Vuçiçit u themelua më 2012, struktura e së cilës është e ndërtuar mbi Partinë Përparimtare Serbe.

Më 2013 pushteti ekzekutiv ra krejtësisht në duart e tij.

Me gjithë njoftimet “mrekullore” se “Serbia është futur në epokën e saj të artë” dhe pretendimet e Aleksandër Vuçiçit se “ekonomia e Serbisë po përjeton rritjen më të madhe në Evropë”, numër i madh serbësh vendosin të ndjekin lumturinë dhe afirmimin profesional jashtë Serbisë pikërisht për shkak të gjendjes së keqe ekonomike.

E sidomos ata që s’kanë libreza të Partisë së tij.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se që nga 2015 është intensifikuar numri i njerëzve që lëshojnë Serbinë.

Foto: Ilustrim

Koincidentalisht, ose jo, kjo korrespodon edhe më konsolidimin më të madh të pushtetit të Aleksandër Vuçiç, pas fitores së SNS-së më 2014 me 48.5% të votave, kur edhe u bë Kryeministër i Serbisë.

“Ajo garë zgjedhore pasqyroi ndjeshëm disponimin e qytetarëve në atë kohë, duke pasur parasysh se ato mbaheshin mend si zgjedhjet me pjesëmarrjen më të ulët deri atëherë. Të drejtën e votës e kishin shfrytëzuar vetëm 3.59 milionë qytetarë, që përbën 53.09 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar”, transmeton portali i lajmeve serbe “Nova.rs”.

Në vitin 2017 kur Aleksandar Vuçiç u bë president i Serbisë, numri i qytetarëve serbë që morën leje qëndrimi në BE ishte 40 mijë e 350, ndërsa një vit më vonë numri i të larguarve nga Serbia pothuajse u dyfishua në krahasim me vitin 2013 dhe arriti në po 52 mijë.

Të dhënat zyrtare për migracionin për vitin 2019 nuk dihen, ndërsa të dhënat e fundit të Eurostat-it, të publikuara në nëntor të këtij viti, tregojnë se 40 mijë e 872 qytetarë janë larguar nga Serbia gjatë vitit 2020, pavarësisht lëvizjes së kufizuar dhe pandemisë së virusit korona.

Foto: Ilustrim

Është shteti gjerman ku më së shumti leje qëndrimi janë lëshuar për qytetarët e Serbisë.

Demografja dhe profesoresha në Fakultetin e Gjeografisë, Danica Santic, tha për “Nova” se hulumtimet tregojnë se njerëzit kryesisht largohen nga Serbia për arsye ekonomike.

“Studimet tregojnë se ka një sërë arsyesh pse qytetarët largohen dhe se një nga arsyet kryesore është se ata nuk e shohin veten në të ardhmen në Republikën e Serbisë. Shumica prej tyre mendojnë se të ardhurat e tyre do të jenë më të larta dhe se cilësia e jetës do të jetë më e mirë jashtë vendit”, shpjegon ajo.

Nga ana tjetër, bashkëpunëtori shumëvjeçar i Organizatës Umbrella të Rinisë, politologu Boban Stojanoviç, thotë për “Nova” se sistemi në Serbi, gjegjësisht korrupsioni i përhapur, është arsyeja dominuese pse të rinjtë vendosin ta kërkojnë lumturinë jashtë vendit.

Ai shton se të rinjtë e kuptojnë se përkatësia politike është gjëja më e rëndësishme për një punë.

“Të rinjtë nuk vendosin ta ndërmarrin këtë hap drejtpërdrejt për shkak të mungesës së lirive politike, përkatësisht llojit të regjimit, por të dhënat më se qartë tregojnë se arsyet e largimit kanë të bëjnë me partiokracinë, qeverisjen jodemokratike dhe progresin e shqetësuar në Serbi”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore