Lajme

Për Ramën ka vetëm një raport ndërkombëtar të besueshëm, ai i BE-së


“Për mua ka vetëm një raport ndërkombëtar të thellë e të besueshëm 100% për ecurinë e vendit: Raporti i Progresit të Shqipërisë nga Bashkimi Evropian – fakte jo perceptime, analiza objektive jo gjykime subjektive, skuadër profesionale me kohë të plotë, jo nënkontraktorë part-time”.

Është ky reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama – i cili edhe pse nuk e ka përmendur me emër – ka ardhur pas publikimit të raportit për treguesin e shtetit ligjor nga “World Justice Project”.

Kjo e fundit, e rendiste Shqipërinë në vendin e 84-të, gati më poshtë se të gjitha shtetet e rajonit.

Por, kryeministri i vendit ka theksuar se vetëm raporti i BE-së është realizuar nga një skuadër e plotë profesionale me kohë të plotë.

Ndërkohë, indeksi i “World Justice Project” mbështetet te anketat familjare dhe sondazhet e realizuara nga  praktikantët ligjorë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, ka theksuar se sistemi gjyqësor i Shqipërisë, “ka arritur një shkallë përgatitjeje të moderuar” dhe Reforma në Drejtësi konsiderohet të ketë pasur “një përparim përgjithësisht të mirë”.

Raporti vuri në dukje emërimet për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

Ai thekson se “megjithatë procedurat e gjata, dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”.

Ecuria e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësohet se “ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit Shqipëria rezulton të ketë “njëfarë shkalle përgatitjeje”.

Ndërsa vlerësohet se ka pasur rezultate, raporti nënvizon se “mbetet i nevojshëm një vullnet më i madh politik, përpjekje të mëtejshme të strukturuara, dhe burime e aftësi të përshtatshme”.

Sipas Komisionit “pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz”.

Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore