Aplikacione

Për Musk-un, ndalimi i Trump-it nga Twitter-i ishte një gabim, duhet hequr


Ndalimi nga Twitter-i i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ishte një gabim.

Ndalimet e përhershme duhet të jenë “tejet të rralla”, ka pohuar Elon Musk referuar disa mediave amerikane.

Më tej, ai ka njoftuar se ndalimi do të hiqet.

Shefi ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX-it, i cili së fundi ka paraqitur një ofertë për të blerë platformën për 44 miliardë dollarë, ka thënë se “Twitter-i nuk duhet të vendosë ndalime të përhershme”.

Ai ka shtuar se postimet individuale “mund të fshihen dhe njerëzit mund të pezullohen vetëm përkohësisht nëse thonë diçka që është e paligjshme ose shkatërruese për botën”.

Thierry Breton, komisioneri i Tregut të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ka treguar se i ka shpjeguar Musk-ut  se si rregulloret online të BE-së synojnë të mbështesin fjalën e lirë.

Këtë, duke u siguruar po ashtu se çdo gjë e paligjshme “do të ndalohet në hapësirën digjitale”, diçka me të cilën Musk “pajtohet plotësisht”.

Trump-i u ndalua nga platforma në janar 2021, në përgjigje të sulmit të mbështetësve të tij në Capitol në një përpjekje për të bllokuar certifikimin e fitores në zgjedhje të Joe Biden-it.

Për blerjen e Twitter-it, Musk ka treguar se, në rastin më të mirë, mund të përfundojë në dy deri në tre muaj.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore