Lajme

“Për Kosovën pa korrupsion”, BE-ja mbështet kontrollin e deklarimit të pasurisë për zyrtarët


Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog dhe drejtori i Agjencisë, Yll Buleshkaj

Bashkimi Evropian në Kosovë, është duke mbështetur Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), përmes një fushatë për informimin e publikut, e cila promovon rolin e Agjencisë në kontrollin e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët, parandalimin e konfliktit të interesit si dhe hetimin e raporteve të sinjalizimit.

Përmes një komunikate nga zyra e BE-së në Kosovë, fushata “Për Kosovën pa korrupsion” po bëhet me qëllim të uljes së korrupsionit.

“BE-ja e mbështet Kosovën në luftën kundër korrupsionit me qëllim që ta ndihmojë të afrohet me BE-në. Sigurimi i sundimit të ligjit është qëllimi ynë i përbashkët dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke përfshirë edhe këtë fushatë”, ka thënë Szunyog.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog

Kurse, drejtori i Agjencisë, Yll Buleshkaj, ka deklaruar se legjislacioni i ri mundëson parandalimin e korrupsionit.

“Legjislacioni i ri qartëson mandatin parandalues të Agjencisë si dhe e pajisë atë me mjete thelbësore për parandalimin e korrupsionit. Për më tepër, roli i pranisë së BE-së në Kosovë përkitazi me përpjekjet e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit është vendimtar”, deklaroi Buleshkaj.

Fushata e cila nisi të mërkurën do të përfshijë pesë video dhe një broshurë të cilat ofrojnë informata për mandatin e Agjencisë, mënyrat se si publiku mund të raportojë korrupsionin, si dhe për gjobat dhe sanksionet me të cilat mund të përballen zyrtarët dhe institucionet nëse nuk e respektojnë ligjin.

Verifikimi i prejardhjes së pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, po vazhdon të jetë mision i pamundur.

Drejtori i Agjencisë, Yll Buleshkaj

Përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se kjo po ndodh për shkak të mungesës së mekanizimeve ligjore.

Leotrim Gashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), kishte thënë për Albanian Post se dënimet të cilat shqiptohen për mos deklarim të pasurisë së zyrtarëve janë shumë të ulëta.

Afati ligjor për deklarim të rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2021 është 1 deri 31 mars 2022.

Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore