Shqipëria

Peqin: U qëllua për vdekje, Policia arreston 2 persona


Policia e Elbasanit, mëngjesin e 29 dhjetorit ka vënë në pranga dy persona pasi dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e 32-vjeçarit Albi Bashaliu në fshatin Gjoçaj, Peqin.

Përkatësisht të arrestuar janë shtetasi V. B., 41 vjeç dhe M. Xh., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin. Mendohet se këta dy persona për të fshehur rrethanat e ngjarjes kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Gjithashtu sipas Policisë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë makinën e viktimës tip “Volkswagen Caddy”, – e cila është gjetur një ditë më parë e djegur – për t’u larguar. Ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur aty në vendin e ngjarjes.

Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Nga strukturat hetimore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkaq materialet janë referuar në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

Albi Bashaliu  u qëllua për vdekje mëngjesin e 27 dhjetorit. Ai ishte një emër i njohur për policinë.

Në vitin 2017, u arrestua për një atentat të dështuar ndaj dy personave. 32-vjeçari akuzohet se qëlloi me breshëri arme ndaj dy personave që udhëtonin me makinë. Në atë kohë dy personat shpëtuan pa lëndime ndërsa Albi Bashaliu u arrestua.

Një ndër pistat që po hetohet është ajo e hakmarrjes që lidhet me të shkuarën e viktimës dhe vëllait të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore