Lajme

Pentagon-i shton Kosovën në koalicionin anti-Kremlin


Takimi i fundit i Grupit të Kontaktit për Ukrainën u ndoq nga pesë vende të tjera.

Ajo u organizua në sfondin e një mbledhjeje mes dhjetëra përfaqësuesve të ministrive të mbrojtjes në Ramstein të Gjermanisë.

Shefi i Pentagon-it, Lloyd Austin njoftoi pranimin e Kosovës mes këtyre shteteve.

“Jam gjithashtu krenar dhe i kënaqur që shoh se disa vende të reja morën pjesë në takimin e sotëm të Grupit të Kontaktit, duke përfshirë Austrinë, Bosnje-Hercegovinën, Kolumbinë, Irlandën dhe Kosovën”, shkruhet në deklaratën e zbardhur në faqen zyrtare të DoD-së (Departamenti i Mbrojtjes – AP)

Austin shtoi se autoritetet janë kënaqura që i kanë në bord dhe shpresojnë të vazhdojnë ta zgjerojnë këtë mbledhje të rëndësishme të aleatëve dhe partnerëve.

Ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ishte gjithashtu pjesëmarrës në mbledhjen e ministrave të 44 shteteve të botës.

Në përmbyllje të takimit, zyrtari deklaroi se Kosova nuk e ka pasur të vështirë të pozicionohet krah Ukrainës dhe kundër agresionit rus.

Kjo, për shkak të padrejtësive që ka përjetuar vendi më parë.

Austin foli më tej edhe sa i takon ndihmës për Ukrainën nga 40 vendet pjesëmarrëse në takimin në Gjermani.

“Shumë vende po ofrojnë municione artilerie të nevojshme, sisteme të mbrojtjes bregdetare, tanke dhe automjete të tjera të blinduara. Të tjerët morën angazhime të reja për të trajnuar forcat e armatosura ukrainase dhe për të mbështetur sistemet e tyre ushtarake”, nënvizoi zyrtari amerikan.

Danimarka, theksoi ai, do të sigurojë një lëshues fuzhnjësh dhe raketa për mbrojtjen bregdetare.

Republika Çeke do të dërgojë dhurimin e fundit të helikopterëve sulmues, tankeve dhe sistemeve raketore.

Italia, Greqia, Norvegjia dhe Polonia njoftuan dje dërgesat e reja të sistemeve të artilerisë dhe municioneve.

Kreu i Pentagon-it përmendi edhe Mbretërinë e Bashkuar për koordinimin e ndihmës së sigurisë dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh britanike që vazhdojnë të dërgohen në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore