Shqipëria

Peleshi takohet me homologun ukrainas: Me rëndësi që NATO të vijojë mbështetjen për Ukrainën


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi është takuar në Bruksel me homologun ukrainas Rustem Umerov.

Peleshi dhe Umerov kanë biseduar mbi situatën aktuale në Ukrainë dhe rëndësinë e mbështetjes nga NATO, si një element thelbësor në rezistencën ndaj luftës me Rusinë.

Sakaq, Umerov ka shprehur mirënjohjen ndaj vendit tonë dhe ka falënderuar për mbështetjen e gjithanshme që Shqipëria i ka ofruar Ukrainës, që prej fillimit të luftës.

“Me rëndësi është që mbështetja nga Aleanca të vijojë, për të ndihmuar me sa mundemi këtë rezistencë”, ka thënë Peleshi.

Ndërkaq, lufta në Ukrainë ishte fokusi kryesor i takimit të ministrave të Mbrojtjes, të mbledhur në selinë e NATO-s, në Bruksel.

Vijimi i mbështetjes së vendeve të Aleancës ndaj Ukrainës, në zbatim të vendimeve të Samitit të Vilnius u diskutua fillimisht në një takim të veçantë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, që u mbajt në fillim të takimit formal të ministrave të Mbrojtjes se NATO-s, ku morën pjesë mbi 50 vende të ndryshme aleate dhe partnere të NATO-s.

Gjatë takimit u theksua nevoja imediate për mbështetjen e Ukrainës me kapacitete ushtarake si: sisteme armatimi, artileri dhe municione të kalibrave të ndryshëm me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike të saj, nga agresioni rus.

Në kuadër të punimeve të Ministerialit, vëmendje të veçantë mori takimi i Këshillit NATO-Ukrainë, i zhvilluar për herë të parë në nivel të ministrave të mbrojtjes, me qëllim afrimin e saj me Aleancën, duke shënuar një kapitulli të ri në marrëdhëniet NATO-Ukrainë.

Peleshi ka rikonfirmuar se, Shqipëria do të vazhdojë ndihmën e saj politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me qeverinë dhe popullin e Ukrainës dhe mbështesim aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO ”,  ka thënë ai.

Gjatë takimit, vendet aleate mbajtën qëndrim të unifikuar për vijimin e kontributeve, si dhe ruajtjen e solidaritetit dhe kohezionit në mbështetje të popullit ukrainas dhe luftës së tij.

Po ashtu mbështetje të palëkundur në rrugëtimin e Ukrainës drejt integrimit Euro-Atlantik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore