Lajme

PE miraton raportin e Viola von Cramon, kërkohet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe themelimi i Asociacionit


Parlamenti Evropian

Në raportin e dorëzuar të Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, që u miratua me 496 vota për, 96 kundër dhe 72 abstenime, u kërkua mes tjerash edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, marrëveshje kjo e cila nuk e ka kaluar testin e kushtetuetshmërisë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Rezoluta shkruan se dialogu i fascilituar nga Brukseli në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë “qasje konstruktive” të të dyja palëve për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve “të bazuar në njohje të ndërsjellë”.

Gjithashtu, kërkohet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit, përfshirë edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Mes tjerash, ritheksohet kërkesa që Bashkimi Evropian të merr vendim që qytetarëve të Kosovës t’ua heq regjimin e vizave për të udhëtuar lirshëm në BE.

Përveç tjerash, shprehet “keqardhje” ndaj pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilët ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, dhe u bëhet thirrje për njohjen.

Kosovës në këtë raport gjithashtu i jepet mbështetje për aplikimin e saj për anëtarësim në Këshill të Evropës, derisa në të njëjtën kohë bëhet vërejtje se “nuk ka procedura të shpejta”, duke iu referuar domosdoshmërisë së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi për të bërë progres në integrimet evropiane.

Kosova u lavdërua për rreshtimin e saj me politikën e jashtme evropiane në sanksionet ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore