Lajme

PE-ja kërkon hetim ndërkombëtar për vjedhjen e votave në Serbi


Ilustrim

Anëtarët e Parlamentit Evropian (PE) nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) nisën të enjten një letër në adresën e Komisionit Evropian (KE), nëpërmjet së cilës kërkuan hetim ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale të Serbisë të mbajtura më 17 dhjetor 2023.

Letra gjithashtu kërkon që rezultatet e zgjedhjeve të mos pranohen derisa të përfundojë një hetim i pavarur për parregullsitë zgjedhore, duke përfshirë kërkesën që t’i kushtohet vëmendje e veçantë vjedhjes së zgjedhjeve lokale në Beograd nga Partia Progresive Serbe (SNS), posaçërish mbi votuesit ilegalë të ardhur në mënyrë të organizuar nga pjesë të ndryshme të rajonit.

“Ne mbetemi në mbështetje të qytetarëve të Serbisë që po protestojnë për mundësinë e tyre për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE). Fatkeqësisht, akuzat e rënda lidhur me zgjedhjet e fundit nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe e cenojnë këtë qëllim”, thuhet në letrën e eurodeputetëve.

“Disa misione vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore kanë arritur në përfundimin se zgjedhjet në Serbi nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme dhe kanë gjetur dëshmi për parregullsi dhe mashtrime të hapura zgjedhore. Misioni i KRRT-së ka shprehur shqetësim edhe për zgjedhjet lokale në qytetin e Beogradit”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Më 8 shkurt eurodeputetët do të votojë për rezolutën për zgjedhjet e kontestuara serbe. Rezoluta e PE-së u pasua me debat në seancën plenare të 17 janarit. Propozimi i S&D-së për debat u miratua me 270 vota pro dhe 37 kundër, duke gjetur mbështetje të madhe, ndërsa propozimi për rezolutë në seancën e radhës u miratua me 185 vota pro dhe 105 kundër.

Perspektiva e demokracisë në Serbi mbetet e paqartë. Në Serbi nisi një valë e protestave të opozitës nga vera e vitit të kaluar dhe kulmuan pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga SNS-ja në pushtet, megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mohoi akuzat për vjedhje gjatë procesit elektoral.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore