Lajme

PDK: Qeveria e Kosovës e paaftë për t’u përballë me krizën energjetike


Ilustrim.

Partia Demokratike e Kosovës, e ka cilësuar të paaftë Qeverinë e Kosovës, për t’u përballë me krizën energjetike që pritet të pasojë në muajt në vijim, për shkak të ngritjes enorme të çmimit në Evropë

“Gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës. Aktualisht, çmimi i rrymës në bursat e energjisë në rajonin tonë, ka arritur në trefishin e çmimit të një viti me parë, ndërkohë që jemi ende larg dimrit – kur edhe pritet të arrijë kulmi i çmimit”.

Sipas PDK-së, Qeveria e ka lënë vendin tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e mundshme.

“Kjo krizë ndërkombëtare kërcënon furnizimin e rregullt dhe me çmime të pa përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare”.

Ndërsa, kanë thënë, se Kosova s’arrin t’i përmbushë nevojat e saj në pikun e konsumit gjatë dimrit dhe varet nga importi në këtë periudhë.

“Do të duhej që Qeveria të planifikonte muaj më parë për dimrin, duke siguruar më herët kontrata për blerjen e energjisë në atë periudhë kur çmimi në bursat e energjisë ishte ende i ulët”.

Korporata Energjetike e Kosovës.

PDK-ja është shprehur se kriza energjetike mund të bëjë pagesën e rrymës tejet të rëndë e të vështirësojë furnizimin e rregullt dhe pa ndërprerje në Kosovë.

“Nëse nuk merren masa të shpejta nga Qeveria, kjo situatë rrezikon t’i dëmtojë rëndë bizneset kosovare që ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë. Po ashtu, cenon mirëqenien e familjeve që gjatë dimrit harxhojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për ngrohje”, ka reaguar PDK-ja.

Po ashtu, kanë thënë se mosvazhdimi me projektin e gazit është kundër interesit të Kosovës.

“Dështimi i projektit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe bllokimi i projektit për infrastrukturën e gazsjellësit dhe termocentralit me gaz shkojnë ndesh me interesin e Kosovës për të pasur pavarësi energjetike dhe shtim e diversifikim të burimeve të saj prodhuese të energjisë”.

Kompania “Ferronikel”.

Edhe, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se Kosova duhet të kërkoj zgjidhje të çështjes së furnizimit me energji elektrike.

“Nuk ka zgjidhje të lehta, e as shumë zgjedhje për çështjen e furnizimit me energji elektrike dhe koston e energjisë elektrike”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Më 30 shtator, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Rizvanolli, ka bërë të ditur po ashtu se kriza energjetike në Evropë do ta afektojë edhe Kosovën.

Qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë sepse, sipas ministres Rizvanolli, çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani kanë arritur në mbi 100 euro, ndërsa aktualisht çmimet janë në mbi 200 euro për megavat

Ndërkaq, më 8 tetor, kriza energjetike në Evropë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, ka bërë që fabrika “Ferronikeli” të ndërprejë përkohësisht punën.

Fabrika Ferronikeli, në një e-mail dërguar Albanian Post, kanë thënë se ndërprerja e prodhimit ka ardhur si shkak i rritjes së vazhdueshme të çmimit.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, kompania NewCo Ferronikeli L.L.C detyrohet të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”.

Sipas kompanisë Ferronikel, ky është opsioni i vetëm edhe pse tash e disa muaj janë munduar që të gjejnë zgjidhje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore