Lajme

PDK-ja dhe AAK-ja kundër projektligjit për Fondin Sovran


Besnik Tahiri dhe Abelard Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), janë shprehur kundër projektligjit për Fondin Sovran, kjo pasi sipas tyre i njëjti i bën dëm ekonomisë të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë ka bërë të ditur se të enjten do të ketë seancë për Raportin e Progresit dhe për leximin e dyte të projektligjit për Fondin Sovran.

“Ditën e enjte do ta kemi seancën për Raportin e Progresit, që ka qenë propozim i Partisë Demokratike të Kosovës të diskutohet javën e kaluar, por për shkak të stërzgjatjes së seancës nuk kemi arritur, prandaj të enjten do të fillojmë me të gjeturat që raporti i nxjerrë për vitin e tretë të qeverisjes Kurti. Ditën e enjte po ashtu në kuadër të seancës së re do ta kemi edhe leximin e dytë të projektligjit për Fondin Sovran”.

Ai ka rikujtuar se PDK-ja e ka kundërshtuar këtë projektligj për shkak se sipas tyre i njëjti bie ndesh me strukturën ekonomike të Kosovës.

“Ne si Grup Parlamentar e kemi kundërshtuar këtë projektligj sepse konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit tonë është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë që konsiderojmë se është vetëm një strukturë burokratike që lidhet me çështjet ekonomike. Konsiderojmë që është strukturë ekonomike shumë e padobishme. Kjo strukturë nuk mund të akomodohet dhe jam i bindur që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë”, është shprehur ai.

Tahiri ka deklaruar se është duke u diskutuar për një Asociacion që në kompetenca është parallel me Republikën e Kosovës.

Ai konsideron që “kapërcimi më i madh” është bërë nga ana e kryeministrit, Albin Kurti.

“Tash e një muaj krejt debati për Asociacionin është i bazuar në një draft që nuk është mohuar nga askush, as nga zyrtarët evropianë, as nga Qeveria, as nga Presidenca, por duhet të jetë si drafti më i përafërt me atë se çfarë ka sot kryeministri Kurti në tavolinë”.

“Fatkeqësisht kjo është një strukturë paralele shtetërore në institucionet e Republikës së Kosovës tashmë ekzistuese. Asociacionet kudo në botë nuk kanë karakter vendimmarrës, janë këshillues. Këtu nuk po flitet më për Asociacion, në kompetenca është paralel me Republikën e Kosovës. Këtu është kapërcimi i madh që e ka bërë Albin Kurti”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka akuzuar kryeministrin Kurti se ka blerë kohë në të gjitha proceset dhe nuk ka krijuar asnjë zgjidhje.

“Ajo që  të themi sot është se gjendja e veteranëve të UÇK-së, të familjeve dhe të dëshmorëve, martirëve, është një gjendje shumë e rëndë, invalidët e luftës janë në një gjendje shumë të rëndë dhe nuk ka asnjë veprim nga kjo Qeveri. Kjo kategori në këto rrethana ka mbetur më së keqi në raport me zhvillimet politike dhe buxhetore”.

Edhe AAK-ja është shprehur kundër projektligjit për Fondin Sovran.

Besnik Tahiri.

“Çështja e dytë lidhet me Fondin Sovran, një ligj qe e dëmton në esencë funksionimin e çfarëdo logjike ekonomike në vend. Të enjten që po vjen diskutohet Raporti i Progresit e disa ligje. Javën e ardhshme nuk do të ketë seancë, javën pas saj do të jetë për buxhetin dhe shkoi viti. Z. Kurti në të gjitha proceset ka blerë kohë, nuk ka krijuar asnjë zgjidhje”.

Nga këndvështrimi i tij pavarësisht problemeve që po e rrethojnë vendin aktualisht Qeveria ka krijuar “komoditet”.

“Po përfundon viti pa i adresuar problemet. E pashpjegueshme krejt komoditeti që është në Qeveri. Gjendja ekonomike, sociale në Kosovë nuk ka qenë më e vështirë dhe më e rëndë në 10 vjetët e fundit”.

Edhe ish kryeministri i Kosovës i Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se projektligji për Fondin Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrje publike dhe buxhetin e shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore