Lajme

Hoti de-konstrukton “projektin më të madh ekonomik të Kosovës”: Fondi Sovran, hap i madh prapa në ambientin e të bërit biznes


Avdullah Hoti

Nga Qeveria e Kosovës u proklamua si projekti më i madh ekonomik në vend, projekt ky i cili, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, vendos Kosovën në hartën e tregjeve botërore financiare.

Është fjala për Fondin Sovran, projektligji i të cilit u miratua muaj më parë në parim në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, Fondi Sovran, dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrje publike dhe buxhetin e shtetit.

Legjislacioni ekonomik i Kosovës, thekson, ish-ministri i Financave, është bazuar në parimet e ekonomisë sociale të tregut, me besimin se tregu dhe konkurrenca janë e vetmja mënyrë për zhvillim ekonomik afatgjatë e të qëndrueshëm.

Për të mirëmbajtur një parim të tillë, Kosova, vlerëson, Hoti ka krijuar mekanizmat institucional për të mbështetur bizneset private si Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili mundëson kreditim më të lehtë të bizneseve nga bankat komerciale, duke promovuar sektorë të caktuar në përputhje me strategjinë kombëtare për zhvillim.

“Kosova ka krijuar edhe Autoritetin e Konkurrencës që kujdeset për të parandaluar veprimet në treg që kufizojnë konkurrencën e lirë. Ka krijuar Komisionin për Ndihmë Shtetërore, i cili mbikëqyrë ndërhyrjen e Qeverisë në ekonomi përmes subvencioneve me qëllim që mos të shtrembërohet konkurrenca e lirë. Agjencitë për mbështetje të ndërmarrësisë dhe investimeve. Parqet biznesore dhe zonat ekonomike të nivelit qendror dhe lokal etj”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Kësisoj, në sytë e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themelimi i Fondit Sovran do të jetë një hap i madh prapa në ambientin e të bërit biznes.

“Të gjitha analizat vlerësojnë se do të dëmtohet konkurrenca e lirë e do të krijohet pasiguri për buxhetin e shtetit. Në çdo nen të tij, Ligji për Fondin Sovran dhe koncept dokumenti përkatës kanë për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik”.

Hoti, ndër të tjera, në një status të gjatë argumentues në platformën sociale Facebook, ka renditur disa nga vërejtjet kryesore dhe problemet ekonomike që shkakton Ligji për Fondin Sovran.

Qeveria, me Ligjin për Fondin Sovran, sipas Hotit, shpall disa kompani private si “Kampionë Nacionalë”, në të cilat investon Fondi Sovran.

“Pra, Qeveria përcakton se cilat kompani private përfitojnë nga investimet e Fondit. Ky veprim e kufizohen drejtpërdrejt konkurrencën e lirë. Për më tepër, kjo qasje paraqet kapje të sektorit privat nga Qeveria sipas modelit kinez të kapitalizmit shtetëror”.

Ndërmarrjet publike, me këtë ligj, vlerëson Hoti, në kuadër Fondit Sovran mund t’i japin hua njëra tjetrës.

“Kjo politikë ekonomike është reminishencë e komunizmit, ku ndërmarrjet shtetërore të atëhershme e financonin njëra-tjetrën derisa i gjithë sistemi ekonomik dhe financiar i asaj kohe kolapsoi nga joefiçiencat masive”.

Edhe pse Fondi Sovran thuhet se do të jetë institucion i pavarur, ligji në fjalës, sipas Hotit përcakton se çdo veprim strategjik i Fondit bëhet në koordinim me Qeverinë, që nga përgatitja e strategjisë investive të Fondit, përcaktimit të listës së aseteve nën menaxhim të Fondit, certifikimit të “Kampionëve Nacionalë” e deri tek vendimet specifike.

“Kështu që, Fondi Sovran është vetëm instrument i Qeverisë për të kontrolluar ndërmarrjet publike dhe për të favorizuar ndërmarrje të caktuara private.Kjo mund të vërehet edhe me faktin se Kuvendi i Kosovës, përmes mazhorancës qeverisëse, parashihet të ushtrojë detyrat e kuvendit të aksionarit të Fondit”.

Fondit Sovran, sipas Hotit do t’i transferohen ndërmarrje që aktualisht janë nën menaxhimin e Qeverisë dhe Agjencisë së Privatizimit.

“Me këtë rast, ato ndërmarrje i nënshtrohen ‘ristrukturimit’. Por, problemi qëndron se kjo mazhornacë majtiste që është në pushtet, ristrukturimin e kupton vetëm si ndryshim të Bordit, e jo ndryshim të kapitalit, operacioneve, prodhimit/shërbimit, zinxhirit të vlerës dhe ripozicionimit në treg të ndërmarrjes. Problem në vete është fakti se nëse ndërmarrjet që transferohen në Fond kanë borxhe, atëherë borxhet mbesin tek Qeveria dhe Agjencia e Privatizimit, duke e rritur barrën për shtetin”.

Ndërmarrjet publike ekzistuese, argumenton më tej Hoti, funksionojnë në tregje të rregulluara, me përjashtim të Trepçës dhe Telekomit që shesin produktet dhe shërbimet e tyre në tregje konkurrente.

“Duke qenë të rregulluara, ndërmarrjet publike kanë strukturë dhe nivel të shpenzimeve të përcaktuara nga rregullatorët përkatës, të cilat bazohen në kostot e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Në shumicën e rasteve, çmimi që paguajnë konsumatorët përcaktohet nga rregullatorët përkatës, e jo nga tregu i lirë. Kjo e vë në pikëpyetje idenë e komercializimit klasik të këtyre ndërmarrjeve, dhe, rrjedhimisht, arsyeshmërinë e përfshirjes së tyre në Fond”.

Shembujt në të cilët bazohet Fondi Sovran nuk vlejnë për Kosovën, sipas Hotit, meqë ka ekonomi e tregut të lirë e orientuar drejt tregut evropian.

“Rasti i Sllovenisë e ka vërtetuar këtë, ku barra për buxhetin e shtetit nga mbajtja e ndërmarrjeve në pronësi të shtetit është bërë e papërballueshme dhe shumë nga ato ndërmarrje kanë mbetur prapa konkurrencës sa i përket teknologjisë. Kosova nuk ka teprica buxhetore, siç është rasti i disa vendeve, të cilat teprica do të mund të investoheshin në këtë Fond”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore