Lajme

PDK e zëvendëson Lushtakun me Nurën për garën e Skenderajt


Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) Fadil Nura

Fadil Nurës i është besuar gara për kryetar të Skenderajt nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për shkak të tërheqjes së ish-kandidatit Sami Lushtaku, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar.

PDK-ja përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka zëvendësuar emrat që nuk janë certifikuar nga KQZ-ja, e në mesin e tyre edhe emrin e Sami Lushtakut, i cili është i dënuar nga gjykata.

“PDK beson në shtetin e së drejtës dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura të shtetit, dhe përkundër kundërthënieve të Ligjit për Zgjedhje Lokale, brenda afatit të përcaktuar nga KQZ, i ka bërë të gjitha zëvendësimet e kërkuara”, thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.

PDK ka bërë të qartë se Sami Lushtaku do të i ndjek të gjitha rrugët ligjore.

“Edhe pse po pengohet të garojë për Kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, me besimin e qytetarëve të Skenderajt, më 17 tetor, do të jetë pranë tyre në qeverisjen e re të PDK-së në këtë komunë. Nga ana tjetër, Lushtaku do të vazhdojë betejën ligjore për të vënë në pah të drejtën e tij kushtetuese”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ndërsa, Nura më herët ka qenë nënkryetar i Komunës së Skenderajt dhe tash është deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë të tillë që kanë kërkuar certifikim, por që kanë së paku një dënim në tri vitet e fundit.

Nga ana tjetër Gjykata Supreme e Kosovës ia ka vërtetuar dënimin Lushtakut për arratisje nga Burgu i Dubravës.

Lushtaku është shpallur fajtor për arratisje më 21 gusht dhe 22 shtator të vitit 2015, gjatë kohës ku po vuante dënimin prej 12 vjetëve burgim për krime lufte në rastin “Drenica”.

Me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në prill të vitit 2020 është dënuar me gjobë 12 mijë.

Pasi vendimi është bërë i plotfuqishëm, Lushtakut i është pamundësuar të kandidojë nga KQZ-ja.

Kurse, Zgjedhjet Lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore