Zgjedhjet në Shqipëri

‘PD pranoi se ka grup të armatosur që shëtit Shqipërinë’


Kryeministri Edi Rama ka nisur mitingun përmbyllës për Qarkun e Tiranës, duke dhënë një koment tjetër mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan, ku një person mbeti i vrarë.

“Gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete, ndërsa ata, morën përsipër t’u thonë shqiptarëve se po, ata e kanë një grup të armatosur që shëtit Shqipërinë”.

Këtë koment, kryeministri e bën në replikë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili dje pas ngjarjes, deklaroi se “demokratët kanë punësuar ish-punonjës të policisë apo ushtrisë për të mbrojtur votën e shqiptarëve”.

Rama vijoi, duke thënë se “pas asaj që ndodhi, jam shumë krenar për mbështetësit socialistë”.

“Ata bënë çmos t’ju lëndojnë, t’ju cenojnë, t’ju dekurajojnë, t’ju poshtërojnë. Ata, që i bënë të gjitha ato kundër jush, dolën zhveshur në gjithë përmasën e karakterit të tyre”.

Për sa i përket opozitës, Rama i mëshoi faktit “se nuk duhet të ketë një opozitë vetëm për hirin e të pasurit një opozitë”.

Premtimet e Lulzim Bashës, ai i komentoi si qesharake. “Premtojnë të fusin Shqipërinë në Bashkimin Evropian për 100 ditë. Duken ndërkohë sikur kanë dalë nga sauna, jo sikur kanë bërë tetë vjet opozitë”.

Zgjedhësve, kryeministri u tha se këto janë ditët për të kuptuar se jemi në një udhëkryq shumë të rëndësishëm. “Kush voton më 25 prill, nuk voton për pragun e shtëpisë. Nuk voton për problemin apo hallin e vet. Voton për t’i dhënë një shtysë të jashtëzakonshme këtij vendi”.

Covid-19 dhe emigrantët

Pjesë e madhe e fushatës së kryeministrit, ka qenë edhe lufta e bërë ndaj Covid-19. Mbi të gjitha, fushata e vaksinimit.

Këtë situatë, kryeministri e komentoi si një tregues force i Shqipërisë.

“Kjo goditje për ne ishte dyfishe. Kishim pas dhe pasojat e tërmetit. Nuk ishim as vendi më i madh, as vendi më i pasur. Por, sot, jemi kampionë të luftës kundër Covid-19 dhe të fushatës së vaksinimit”.

Më tej, ai foli mbi rrugën e vështirë për të arritur deri në këtë pikë.

Emigrantët kanë qenë gjithashtu në vëmendje të kryeministrit. Ai ritheksoi ftesën ndaj tyre, për të investuar në Shqipëri.

“Kthehuni këtu, me aq lekë sa keni. Mjafton të jenë lekë djerse. Investojini këtu dhe do t’ju japim amnisti fiskale. Investoni në tokën e babës, në shtëpinë e babës”.

Në përmbyllje, Rama theksoi se ka vetëm një numër për shqiptarët, dhe ai është numri 12.

“Kush ka dëshirë, mund të votojë një kandidat të preferuar, por numri i shqiptarëve, i Shqipërisë, është një dhe vetëm një – numri 12”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore