Lajme

“Pastimi” pa një “R” i pastroi 472 mijë euro RTK-së


Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere

472 mijë euro janë ndarë nga Radio Televizioni i Kosovës ndaj një kompanie KRU “Pastimi”, në vend të Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’, për 5 vjet me radhë.

Një ‘R’ që u hoq nga “Pastrimi” në “Pastim”, RTK-së i “pastroi” nga buxheti i saj afro gjysmë milioni euro, dhe asnjë shërbim, asnjëherë, nuk u krye.

Kjo gjë u bë e ditur në mbledhjen e së enjten të Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku raportoi edhe drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Kastarti tha se ky punëtor që ka bërë këtë veprim është dënuar, por se edhe RTK-ja është dëmtuar.

“Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, “Pastimi”, pa ‘r’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 472 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar por ne jemi dëmtuar”, tha ai.

RTK 5 vite me rend ka derdhur para në xhirollogarinë e “Pastimit”.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani anëtar i këtij komisioni, ka shprehur habinë e tij ndaj një gjëje të tillë duke thënë se “3 muaj, hajde 6 muaj, por 4-5 vjet të mos vërehet është absurde”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore