Shqipëria

Pasion dhe sfidë – “Të jetosh” si make-up artist në një qytet të vogël


Kur bëhet fjalë për të qenit një grimier, ky profesion u atribuohet vajzave, sidomos në qytete të vogla të Shqipërisë.

Por, “mjeshtërinë” e përdorimit të produkteve të ndryshme kozmetike për të ndryshuar pamjen e dikujt nuk mund ta kenë veç gratë apo vajzat.

Këtë “tabu” në qytetin verilindor, Kukës, e ka thyer make-up artisti, Tomas Beqiri.

Për Albanian Post, ai rrëfen të gjitha sfidat që i është dashur të kalojë gjatë rrugëtimit të tij për të realizuar një ëndërr, “e cila nuk ka pse t’u përkasë veç vajzave”.

“Në fillim ka qenë pak e vështirë për mua dhe ndihesha në siklet sapo njerëzit e merrnin vesh që unë dija të grimoja”, thotë fillimisht ai. “Është e pashmangshme t’u shpëtosh paragjykimeve të ndryshme e të mos mendosh për to në momente të caktuara, sidomos kur jeton në një vend të vogël”.

Sot, Beqiri njihet si “duararti” i qytetit të Kukësit, duke lënë pas gjithë paragjykimet që e kanë “përndjekur” atë.

“Shumë shpejt njerëzit, por dhe unë vetë u mësova me idenë e të pranuarit që një djalë, make-up artist, është si çdokush që ushtron një profesion tjetër e asgjë më shumë ose më pak”, vijon Beqiri.

Në fakt, 18-vjeçari, i cili e bën me pasion punën e grimierit, zbulon për AP-në se fryma e të bukurës e ka ndjekur që në vegjëli.

“Duke marrë shkas se ime më është në profesion parukiere, prej shumë vitesh, u rrita në një ambient ku flitej vetëm për të bukurën dhe jo më pak se para dy vitesh mendova të provoja veten time. Si fillim mes rrethit tim të ngushtë të shoqërisë dhe, më pas, pak e nga pak, e gjeta veten totalisht të përfshirë në këtë profesion”.

Ai gjithashtu thotë se “nga bashkëmoshatarët e mi është pritur shumë mirë, për çka ndihem shumë i lumtur”.

Ndërsa, kur pasioni bashkohet dhe me përfitimet financiare, krijohet një “dyshe” motivuese për atë që e ushtron.

“Për mua, ky profesion nuk është një ‘punë’. Nuk e mendoj asnjëherë që unë po bëj punë, sepse është diçka që e bëj më shumë pasion dhe dëshirë. Pastaj, sa u përket përfitimeve monetare, është një profesion që mirëpaguhet”.

“Dyshja fotograf-grimier”

Shfaqja e make-up-it kërkon një shkrepje fotografie të mirë, ashtu siç një fotografi kërkon grimin e duhur.

Lidhur me këtë, fotografi i njohur Enis Tollumi, për Albanian Post pohon se “bashkëpunimi me grimierët është shumë i rëndësishëm kur seti fotografik është i fokusuar në beauty shooting apo fashion, sepse aty makijazhi duhet të jetë primar”.

Ai bën me dije se ka pasur bashkëpunime dhe me grimierë të rinj.

“Besoj që ka shumë talente, të cilëve duhet t’ju japim shansin që të shfaqen dhe të tregojnë punën e tyre. Së fundmi kam pasur ca bashkëpunime me disa make up artistë të rinj, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe kanë qenë korrektë”.

Dyshen fotograf-grimier, jo pak herë e ka provuar dhe Beqiri.

“Kam pas bashkëpunime të suksesshme me disa fotografë, ndër të cilët është dhe Enis Tolluni”, zbulon ai.

Në përmbyllje, grimieri thotë se “mjeshtërinë” për të bërë makijazh nuk mund ta kenë veç gratë apo vajzat, por edhe meshkujt e talentuar dhe të pasionuar pas së bukurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore