Lajme

Pas rreth 8 orësh, Prokuroria Speciale përfundon intervistimin e Martin Berishajt


Tomë Gashi dhe Martin Berishaj

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për rreth 8 orë resht të premten është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

Berishaj pas përfundimit të intervistimit është parë nën shoqërimin e avokatit të tij, Tomë Gashi.

Avokati Gashi ka potencuar se Berishaj ka dhënë deklaratën e tij në Prokurorinë Speciale për, siç tha ia, “pretendimet që kanë dal në media”.

Gashi nuk ka dhënë detaje mbi deklaratën e Berishajt në Prokurori me arsyetimin se ka qenë “konfidenciale”.

“Deklarata e tij është konfidenciale . Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mundë të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”.

Për intervistimin e Berishajt detaje nuk ka dhënë as Prokuroria Speciale.

Siç kishte mësuar Albanian Post nga burime brenda Prokurorisë, Berishaj është intervistuar për përfshirjen në afera korruptive dhe shpëlarje parash.

Në ndërkohë intervistimi i tij ishte konfirmuar edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Intervistimi i Berishajt kishte nisur rreth orës 8:00 të mëngjesit.

Vitin e kaluar mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar ku ishte i përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

Në artikullin e TV Planet thuhej se Martin Berishaj kishte kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe paguhej si konsulent nga kompania e energjisë elektrike GEN-I dega në Beograd.

Më vonë, do pranohej nga vetë Berishaj se është e vërtetë që ka kompani me këtë emër dhe gjithashtu është e vërtetë se u pagua nga GEN-I dega në Beograd.

Berishaj veç marrjes së parave dhe kompanisë në Mal të Zi, ai po dyshohet se një pjesë të parave të marra në Beograd nga GEN-I i ka sjellur edhe në Kosovë.

Ato para të Berishajt dyshohet se financuan fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Në anën tjetër, në Kosovë Berishaj akuzohet nga Prokuroria Themelore për “mos-deklarim të pasurisë apo deklarim të rrejshëm të pasurisë” dhe nga Prokuroria Speciale për “shpëlarje parash”.

Ekziston po ashtu edhe një kallëzim penal për Berishajn i cili dyshohet se ka bërë evazion fiskal dhe nuk ka paguar taksa..

Përkundër këtij skandali me përmasa rajonale, Berishaj ka mbetur i paprekur në pozitën e tij.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Ai vazhdon të jetë përfaqësuesi i Kosovës në shtetin mik të Kroacisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore