Lajme

Pas mosmarrëveshjes mes pronarëve, Flatiron shitet në ankand për 190 milionë dollarë


Flatiron, një nga rrokaqiejt historikë të Manhattan-it, u shit në ankand për 190 milionë dollarë.

Ajo iu dha Jacob Garlick, partneri menaxhues i Abraham Trust.

“Ka qenë ëndrra ime e jetës që kur isha 14 vjeç. Kam punuar çdo ditë të jetës sime për të qenë në këtë pozicion. Ne jemi të nderuar që jemi kujdestarët e kësaj ndërtese historike dhe do të jetë misioni ynë jetësor të ruajmë integritetin e saj përgjithmonë”, ka thënë ai.

Ankandi ishte i nevojshëm sepse pronarët nuk mund të binin dakord për të ardhmen e ndërtesës: katër kompani të pasurive të patundshme – GFP Real Estate, Newmark, ABS Real Estate Partners dhe grupi italian Sorgente – të cilët zotëronin kolektivisht 75 për qind të rrokaqiellit të kërkuar prej çeliku.

Kjo për të ‘divorcuar’ partnerin e tyre të pestë, Nathan Silverstein, i cili mbante 25 përqindëshin e mbetur, pas vitesh diskutimesh të pazgjidhura se çfarë të bënin me ndërtesën.

Një gjykatës i Gjykatës së Lartë të Shtetit të New York-ut ia besoi Mannion Auctions shitjen te ofertuesi më i lartë i ndërtesës ikonë, i cili ka qenë monument qyteti që nga viti 1966.

Ankandi u mbajt publikisht jashtë Gjykatës së Lartë të shtetit në Lower Manhattan dhe tërhoqi dhjetëra njerëz që kërkonin të dëshmonin historinë e pasurive të paluajtshme.

Për rreth 45 minuta, ‘peshat e rënda’ të pasurive të paluajtshme zhvilluan një betejë të ashpër të ofertës për ndërtesën ikonike me ngritje prej të paktën 500 mijë dollarë në të njëjtën kohë.

Për New York-un në vitin 1902, viti kur u përfundua, Flatiron përfaqësonte thelbin e modernitetit. Sot, megjithatë, ndërtesa është bosh.

Në vitin 2019 shtëpia botuese britanike Macmillan kishte vendosur të largohej nga ndërtesa. Dy vjet më vonë, katër kompanitë e pasurive të paluajtshme paditën Silverstein duke pretenduar se vendimet e tij kishin bërë që ndërtesa të mbetej e shkretë.

Ky i fundit nga ana e tij paditi Newmarkun për përpjekjen për t’i dhënë me qira ndërtesën Knotel, një kompani fleksibël zyrash, nën çmimin e tregut.

E njohur si ndërtesa më “e hollë” nga rrokaqiejt e New York-ut përpara se horizonti i Manhattan-it të transformohej nga kullat super të larta dhe super të holla që mbulojnë Central Park-un, Flatiron i detyrohet formës së tij të veçantë trekëndore.

I projektuar nga arkitektët Daniel Burnham dhe Frederick Dinkelberg dhe i përfunduar në vitin 1902, ai ishte për disa vite, me 21 katet e tij të shpërndara mbi 87 metra, rrokaqiell më i lartë në New York.

Fillimisht ishte selia e Fuller Company, kompania e ndërtimit që shpiku rrokaqiellin modern, por për dekada ishte bërë një vend ku festonin shkrimtarët më me ndikim të kohës dhe ku mijëra autorë nënshkruan kontratën për debutimin e tyre. Vendndodhja ishte e njohur për afërsinë e saj me Gramercy Park, pavarësisht problemeve të qenësishme, duke përfshirë ashensorët e vjetër.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore