Shqipëria

Pas largimit nga Partia e Lirisë, Çela shfaqet krah Spiropalit


Reagim zyrtar ende nuk ka, por në rrjet ka qarkulluar orët e fundit një foto që konfirmon më shumë “firon” brenda Partisë së Lirisë.

Bëhet fjalë për deputetin Agron Çela, i cili është shfaqur në shoqërinë e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në foto gjendet edhe Edmond Ndou, i cili ka qenë më herët kreu i degës së Partisë së Lirisë në Shkodër.

Siç mësoi Albanian Post, shumë shpejt Çela, një figurë e mbështetur gjerësisht në Shkodër dhe shumë i lidhur me klubin e futbollit Vllaznia, do të shkëputet nga Partia e Lirisë, si pasojë e kundërshtive të forta që ka me politikbërjen aty.

Burime pranë kësaj force politike për Albanian Post, bëjnë me dije se pakënaqësitë e deputetit, janë të lidhura me kohën kur u dogjën mandatet nga Partia Demokratike dhe LSI-ja, në vitin 2019.

Çela ishte kundër këtij vendimi dhe nuk e ka mbështetur atë, pavarësisht se ka respektuar vendimin e partisë.

Prej asaj kohe, u përfol se ai do ta linte LSI-në përfundimisht, për pakënaqësi me mënyrën e organizimit, por një gjë të tillë nuk e ka bërë, duke parë se kreu i vërtetë i të majtëve të qendrës, ka qenë realisht në postin e kreut të shtetit.

Me pritjen e rikthimit të Metës në krye të partisë, Çela ka pritur për ndryshime të mundshme, por siç mëson AP-ja, përtej emrit, asgjë tjetër nuk është ndërruar dhe pakënaqësitë kanë vijuar.

Madje, ai ka munguar për një kohë krejtësisht në mbledhjet e partisë, si shenjë refuzimi për politikat e ndjekura nga LSI-ja dhe si vijim të shprehjes së pakënaqësisë për djegien e mandateve dhe mos-hyrjen në zgjedhjet vendore të vitit 2019.

Me shkëputjen kësisoj nga PL-ja, Çela mbetet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe gjasat më të mëdha janë që ai të kalojë për nga radhët e Partisë Socialiste.

Së pari, sepse ideologjikisht, atë nuk e lidh asgjë me Partinë Demokratike dhe së dyti, edhe për një miqësi të hershme me deputeten socialiste, Elisa Spiropali, e cila ushtron edhe detyrën si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Kjo e fundit, është edhe drejtuese politike e qarkut Shkodër për Partinë Socialiste mbi të gjitha.

Teksa, një “flirt” me mazhorancën, Çela e ka pasur edhe në shkurt të këtij viti, kur në Parlament, dha votën pro ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të vettingut, edhe pse LSI-ja në bllok votoi abstenim.

Këtë kalim, sipas burimeve të Albanian Post, është e mundur ta shohim në kohët në vijim, për kalimin përfundimtar, i cili do t’i jepte socialistëve jo vetëm një numër më shumë në Parlament, por edhe një emër shumë të fortë përkrahës në zonën e Shkodrës (zonë historikisht bastion demokrat), ku Çela ka edhe mbështetje të madhe.

Pakënaqësitë me “LSI”-në e çojnë tek PS-ja Agron Çelën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore