Film

Pas filmit “Shok” – “Zgjoi” pritet të bëhet i dyti nga Kosova që udhëton drejt “Oscar”


Filmi “Zgjoi” apo “Hive” i regjisores, Blerta Basholli është renditur edhe zyrtarisht në listën e ngushtë të nominimeve për ceremoninë e 94-të të “Oscar”, ndërkohë që është bërë filmi i dytë pas “Shok” që po arrin të bëhet pjesë e kësaj gare kinematografike.

Në vitin 2016, filmi “Shok”, regjinë dhe skenarin e të cilit e pati bërë, Jamie Donoughue, ishte filmi i parë nga Kosova i nominuar për të fituar çmim në ceremoninë “Oscar”, por që i njëjti nuk kishte arritur të shënonte një sukses të tillë.

Gjatë xhirimeve të filmit “Shok”.

Historia e filmit “Shok” trajton temën e luftës së fundit në Kosovë, duke u mbështetur në copëza realiteti që ndodhën mes viteve 1998-1999, ndërsa familjet shqiptare, përfshirë edhe fëmijët, po përballeshin me tragjedi nga më të ndryshmet si dhe një brutalitet të autoriteteve serbe.

Kasti i filmit “Shok” në ceremoninë e “Oscar”.

Filmi “Shok” ishte përbërë me një kast të emrave të njohur të aktorëve shqiptarë, përfshirë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Eshref Durmishi, Fisnik Ademi e të tjerë.

Ndërkohë, “Zgjoi” është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë që paraqet historinë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambiciet e grave për t’u zhvilluar nuk shihen me sy të mirë.

Gjatë xhirimeve të filmit “Zgjoi”.

Në rolin kryesor të filmit luan aktorja Yllka Gashi, kurse disa nga aktorët që luajnë rolet e tjera janë Çun Lajçi, Adriana Matoshi e Aurita Agushi. Blerta Basholli është regjisorja e filmit, e drejtor fotografie është Alex Boom.

Filmi “Zgjoi” producent ka Yll Ukën ndërsa grupi i bashkë producentëve të filmit përbëhet prej Valon Bajgores, Agon Ukës, Britta Rindelaubit,Kristjan Burovskit, Tomi Salkovskit dhe Paskal Seminit. Ndërsa për montazhin e filmit janë përkujdesur Felix Sandri e Enis Saraçi.

Gjithashtu, filmi “Zgjoi” është  një bashkëprodhim midis Kosovës, Maqedonisë, Zvicrës dhe Shqipërisë.

Gjatë xhirimeve të filmit “Zgjoi”.

“‘Zgjoi” është sa intim, aq edhe universal, që prekë thellë me tregimin, e dhimbjes, qëndrueshmërisë dhe përfundimisht triumfit. Filmi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtur dhe me gravitet të thellë”.

“Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quose dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë”, pati deklaruar komiteti selektues kur kishte zgjedhur këtë film për propozim në “Oscar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore