Shqipëria

Pas arrestimit të Tushes, në krye të bashkisë zgjidhet Eriselda Sefa


Të premten e 16 korrikut në krye të Bashkisë së Lushnjës u vendos Eriselda Sefa. Kjo erdhi pas arrestimit nga Struktura e Posaçme e kryetarit aktual, Fatos Tushe.

Më parë Sefa ka mbajtur rolin e nënkryetares së Bashkisë. Sipas ligjit shqiptar, qeverisja vendore i takon njërit prej nënkryetarëve.

Në Bashkinë Lushnje ka dy nënkryetarë, Gentian Nushi dhe Eriselda Sefa, por me tërheqjen e Nushit, pozicioni i ka kaluar Sefës.

Aktualisht ishte kontejner dhe kryetar i Partisë Socialiste nuk mund ta kryejë funksionin e kryetarit të Bashkisë Lushnjë.

Kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe, dhe personat e tjerë të arrestuar u akuzuan për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera. Mes tyre janë biznesmenë dhe vartës të kësaj bashkie.

Hetimi ndaj Tushes nisi në korrik të 2020-ës, pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.

Akuzat për të arrestuarit

Fatos Tushe, me detyrë kryetar i Bashkisë Lushnjë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.

Flamur Peqini, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti sh.p.k, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim.

Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb sh.p.k, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikim i dokumenteve kryer në bashkëpunim”.

Gazmend Çela, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Bektash Nexha, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Blerta Turku, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore