Kosova

Pas 13 shtatorit mësimi në Kosovë fillon me prani fizike


Ilustrim

Procesi mësimor në Kosovë pas 13 shtatorit do të fillojë me prani fizike në shkolla.

Gjatë ditës së martë të 7 shtatorit, është mbajtur takimi midis drejtorëve komunal të arsimit dhe Ministres së Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci.

Në takimin e përbashkët në mes të MASHT, Kolegjiumit të arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, SABSHK dhe këshillit të prindërve u dakordua që mësimi të fillojë me 13 shtator 2021 pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Albanian Post nga burimet e brendshme, ka siguruar detaje rreth takimit, ku thuhet se përveç tre skenarëve të vitit të kaluar përmes së cilëve është realizuar mbajta e mësimit online, këtë herë është shtuar edhe skenari i katërt që parasheh rikthimin në shkolla me prani fizike.

Do të jenë katër modele të mësimdhënies, tre nga viti i kaluar dhe modeli i katërt do të jetë me prani fizike dhe me orar të rregullt. Vendim-marrja për cilin model të mësimit do të jetë i decentralizuar dhe do të vendoset nga Task Forcat komunale.

Komunat i kanë kryer të gjitha përgatitjet për fillim vitin e ri shkollor. Gjithashtu edhe MASHTI.

Ndërkaq, ditë më parë Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci në një konferencë për media pati bërë të ditur se viti shkollor në kohë të pandemisë mund të zhvillohet me skenarët A,B,C. Por këtë vit do të jetë edhe një skenar shtesë.

“Me këtë udhëzues parashihen udhëzuesit e mundshëm për mbajtjen e mësimit në kushte të pandemisë. Përsëri janë skenarët A, B, C, nga vitet e kaluara, por tani është shtuar si skenar bazik, është skenari i rikthimit, i cili parasheh rikthimin në shkolla me prezencë të plotë”, ka thënë Pupovci.

Shkalla e vaksinimit të mësimdhënësve është 77%, numri i nxënësve të vaksinuar deri më tani është 2369, ndërsa  numri i studentëve të vaksinuar është 54 mijë e 438.

“Të gjithë punonjësit e arsimit ose duhet të jenë të vaksinuar ose çdo 72 orë duhet të sjellin testin”, ka thënë Pupovci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore