Shqipëria

Partia e Lirisë mbledh sërish Konventën Kombëtare, risia “referendumi”


Dy muaj pas Konventës Kombëtare, e cila rithemeloi identitetin e LSI-së duke e kthyer në “Partinë e Lirisë” është mbledhur sërish të shtunën e 29 tetorit anëtarësia e kësaj force politike.

Fillimisht, në punimet e konventës u miratuan ndryshimet statutore ku ra në sy përfshirja në rezolutë e “referendumit”, që mbahet nëse e kërkojnë 5 mijë anëtarë.

Kjo konventë nuk pritet të sjellë asnjë surprizë duke qenë se ish-presidenti Ilir Meta është kandidati i vetëm për udhëheqjen e partisë.

Kujtojmë që Meta u propozua në korrik si kryetar i përkohshëm deri në zgjedhjen e një lideri në ri.

Partia e Lirisë drejtohet nga një Komitet Organizator, me në krye ish-kreun e shtetit.

Kjo, në pritje të zgjedhjeve të cilat do ta rivendikojnë zyrtarisht Metën në krye të partisë.

Ishte sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi që prezantoi Rezolutën në Konventën Kombëtare duke vënë theksin te referendumi.

Sipas tij, qytetarët mund të shprehin sovranitetin përmes referendumit “sa herë që pushteti i bllokon llogaridhënien”.

Rezoluta u miratua nga anëtarësia e “Partisë së Lirisë” me unanimitet të plotë.

Meta zbuloi në pikënisje të punimeve të konventës se prej 100 ditësh është bërë e ditur se do ketë zgjedhje për kryetarin e PL-së dhe strukturat.

Ai sqaroi se gjatë të shtunës do të votohen të gjithë në mënyrë të fshehtë: komiteti drejtues, kryesia dhe kryetari.

“Nuk shpikim dot kandidatë dhe s’bëjmë dot gara fiktive. Është tregues i besimit të anëtarëve në lidershipin tim”, kështu iu përgjigj ish-presidenti mungesës së një kundërshtari në garën për udhëheqjen e partisë.

Fjala e Metës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shpalosur pikat e para të programit politik të kësaj force politike.

“Koha është tani për një marrëveshje sociale për të ndalur shpopullimin. Koha është tani për një ‘marrëveshje të re sociale dhe patriotike’, për të ndalur shpopullimin dhe emigracionin masiv të të rinjve tanë”, u shpreh fillimisht ish-presidenti.

Sipas tij, koha nuk pret më dhe opozita – përfshirë PL-në – duhet t’i japë fund “regjimit”.

Gjatë shterimit të platformës, Meta sugjeroi se sundimi i ligjit do të garantohet: nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetueshmëria, e institucioneve të forta dhe të pavarura, nga llogaridhënia dhe ndëshkueshmëria, nga mirëqeverisja dhe meritokracia, nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe nga punësimi me paga dinjitoze.

“Shqipëria do t’i përkasë të rinjve…sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt. Është kjo bindje e palëkundur, që duhet të mbajë gjallë frymën dhe kauzën madhore të Partisë së Lirisë dhe Opozitës së Bashkuar”, shtoi ish-kreu i shtetit.

Gjatë konventës pritet të shpaloset edhe strategjia, zgjedhjet, aksioni dhe ekipi i ri drejtues i kësaj force politike.

“Kur të gjithë bëhemi bashkë nuk ka diktaturë dhe qeveri pakice që i mbijeton zemërimit dhe verdiktit popullor. Prandaj, për Partinë e Lirisë, referendumi është manifestimi më sublim i demokracisë direkte dhe vullnetit të sovranit!”, vijoi Meta.

Ai kujtoi se Partia e Lirisë ka depozituar dy nisma ligjore në Kuvendin e Shqipërisë.

Këto, për të liberalizuar “urgjentisht” investimet për impiantet fotovoltaike me qëllim nxitjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta zgjidhur vetë prodhimin e energjisë me panele diellore dhe për të injektuar energjinë e tepërt të tyre elektrike, në sistemin kombëtar të energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore