Sport

Parlamenti Evropian voton raportin kundër “Superligës”


Parlamenti Evropian votoi të martën e 23 nëntorit një raport për të mbështetur, brenda Bashkimit Evropian, një model sportiv të bazuar në solidaritet, përfshirje, konkurrencë dhe barazi.

Ky raport mori 597 vota pro nga eurodeputetët – 36 kundër dhe 55 abstenime.

Eurodeputetët thanë se duan që kultura sportive evropiane të përafrohet me vlerat e BE-së për solidaritet, qëndrueshmëri, gjithëpërfshirje, konkurrencë të hapur, merita sportive dhe drejtësi.

Parlamenti ka kundërshtuar me vendosmëri “garat separatiste” të cilat minojnë këto parime dhe rrezikojnë stabilitetin e ekosistemit të përgjithshëm sportiv.

Deputetët – thuhet në një shënim – duan të gjejnë një ekuilibër midis interesave tregtare të sportit profesional dhe funksioneve të tij sociale, duke forcuar lidhjet midis sportit bazë dhe sportit elitar.

Prandaj u kërkua një rishpërndarje më e madhe financiare midis sportit profesional dhe atij bazë.

Më tej, u propozua krijimi i një mekanizmi solidariteti nga federatat sportive për të siguruar financimin e duhur për sportin amator dhe atë bazë.

Eurodeputetët kërkuan gjithashtu që të trajtohen çështjet e pabarazisë gjinore dhe ngacmimit në sport, veçanërisht kur bëhet fjalë për pagat dhe përfaqësimin e barabartë në bordet e organizatave sportive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore