Kosova

Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë


Parlamenti Evropian.

Parlamenti Evropian të mërkurën ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

Paraprakisht tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme.

Ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.

Në Rezolutën për Serbinë është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Gjatë debatit për Serbinë pati shumë deputetë që kërkon nga Beogradi që të shprehet qartë rreth aspiratave për integrime në BE dhe që këtë orientim ta dëshmojë duke mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë.

U dëgjua nga disa deputetë që Serbia po e bën të kundërtën, se në vend që të rrisë përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, po e zvogëlon atë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në seancën ku po diskutohet raporti për Kosovën për vitin 2022, ka deklaruar se janë arritur rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjithë vendin, dhe shtoi se Kosova po vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike.

Sipas deputetes kroate, Zheljana Zovko, “nga 65 për qind që ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e Serbisë me politikën e jashtme të bllokut evropian ka rënë në 45 për qind”.

Rezolutat e Parlamentit Evropian kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore