Kosova

Cramon: Kosova po dëshmon se ka kapacitete demokratike


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në seancën ku po diskutohet raporti për Kosovën për vitin 2022, ka deklaruar se janë arritur rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjithë vendin, dhe shtoi se Kosova po vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike.

“Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Cramon ka kërkuar nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania) që ta ndryshojnë qëndrimin dhe qasjen e tyre në raport me Kosovën, pasi që ajo vlerëson se më këtë mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

“Është e rëndësishme që të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë, sepse për stabilitetin në kontinentin tonë do të jetë e rëndësishme se si do të sillemi përballë fqinjëve tanë edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe ajo që është e rëndësishme është që të shikojmë historinë tonë, dhe nëse shikojmë historinë e dimë që mund ta them këtë si gjermane, sepse duhet të bëjmë shumë kërkime në historinë tonë. Dhe është e rëndësishme që ne ta bëjmë këtë punë, në mënyrë që të arrijmë stabilitet”, ka theksuar eurodeputetja.

Po ashtu, Cramon në këtë seancë ka përshëndetur edhe vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, por gjithashtu edhe përgëzoi Kosovën për linjën që e ka ndjekur pas agresionit rus në Ukrainë.

“Fjalimin për raportet e Kosovës e mbaja çdo vit që nga viti 2019, duke shpresuar se më në fund mund të them, ‘gëzuar lirinë e lëvizjes’, kjo nuk është më kërkesë apo shpresë, është realitet, që nga janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpër Evropë pa asnjë kërkesë për vizë, letra ftese, procedura të kushtueshme, apo duke pritur në radhë, Evropa më në fund po i hap dyert”.

“Viti i kaluar ishte një vit sfidues për të gjithë. Ndërsa pamë tmerret e luftës që po kthehej në Evropë, Qeveria e Kosovës, duke i ditur mirë këto tmerre, demonstroi solidaritet të plotë me Ukrainën, duke u rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe madje duke mirëpritur gazetarë ukrainas, për çka dëshiroj t’i falënderoj thellësisht”, shtoi Cramon.

Gjithashtu, eurodeputetja gjermane ka shtuar se ka nevojë për mbështetje “të sektorit privat dhe të rinjtë të kenë perspektivë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore