Shqipëria

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është thuajse gati


Kantieri gjendet pranë portit turistik bregdetar që pritet të marrë jetë në Vlorë dhe së shpejti do të jetë gati për t’i dhënë një pamje të re zonës.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, ka vetëm disa detaje të fundit për t’u zgjidhur, në mënyrë që të hapet për qytetarët.

Rreth 1 mijë pemë të llojeve të ndryshme do të mbillen aty. Kështu, do të krijohet një hapësirë urbane e ndryshme nga ajo e shkuar, ku hapësirën e zotëronin kioska të ndryshme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka inspektuar punimet në kantier.

Sipas tij, e gjithë hapësira do të jetë një burim i rëndësishëm të ardhurash për qytetin motor të ekonomisë shqiptare.

Po punohet ndërkaq edhe mbi përfundimin e infrastrukturës lidhëse në rrugës Transballkanike, në zonën e portit.

Parku pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë në vend. Në këtë mënyrë, do të rijetësohet hapësira përpara shtëpisë ku më 1912-ën, u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Një aspekt tjetër themelor në punën e ngritjes së parkut, ka edhe trajtimi i ujërave të zeza e të bardha.

Sipas inxhinierëve, ka qenë problematike gjendja e trajtimit të ujërave në atë pjesë të Vlorës. Ndërkaq, me projektin e ri, nuk do të ekzistojë më ky problem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore