Përballje

Paraqitja e Dardanëve në fundjavë


Fundjavën që lamë pas, futbollistët kombëtares së Kosovës patën paraqitje mjaft të mira në ekipet evropiane në të cilat luajnë.

Ndër më të mirët ishin Astrit Selmani dhe Zymer Bytyqi, të cilët realizuan gola për ekipet e tyre.

Astrit Selmani gjeti rrugën e rrjetës nga pika e bardhë e penalltisë, në fitoren 1:4 që ekipi i tij Hammarby realizoi në udhëtim te Degerfors, në kuadër të xhiros së 28-të të Superligës së Suedisë.

Astrit Selmani

Me këtë fitore, Hammarby renditet në vendin e pestë në tabelë, me 49 pikë, vetëm gjashtë më pak se lideri Malmo.

Ndërkohë, ky ishte goli i pestë i Selmanit në këtë sezon, derisa ai ka dhuruar edhe gjashtë asistime në 25 ndeshje të ligës “Allsvenskan”.

Gol shumë të rëndësishëm shënoi edhe Zymer Bytyqi. Ai shënoi që në minutën e parë, në ndeshjen që ekipi i tij, Konyaspor e fitoi me rezultat 3:0 ndaj Rizespor, në takimin e vlefshëm të javës së 13-të të Superligës së Turqisë.

Ndërkohë, ky ishte goli i parë i Bytyqit në këtë sezon, derisa ai ka dhuruar edhe dy asistime gjatë 12 ndeshjeve.

Zymer Bytyqi

Konyaspor po kalon momente shumë të mira në këtë fillim të sezonit në elitën e futbollit turk, të cilët pozicionohen në vendin e tretë në tabelë me 26 pikë, katër më pak se lideri Trabzonspor.

Në ligën e Turqisë, paraqitje shumë të mirë pati edhe portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, madje ai u shpall lojtari i ndeshjes në takimin që ekipi i tij, Adana Demirspor e fitoi në udhëtim te Altay, me rezultat 1:3.

Aro ishte një ndër protagonistët kryesorë në këtë sukses, pasi me pritjet e tija i mundësoi tre pikë skuadrës së Demirspor.

Amir Rrahmani në ndeshjen kundër Inter-it

Vazhdon të shkëlqejë kapiteni i verdhekaltërve, Amir Rrahmani, i cili tashmë është një titullar i padiskutuar në formacionin e Napoli-t, të cilët ndodhen në krye të tabelës së Serie A.

Rrahmani pati një paraqitje shumë të mirë në derbin që skuadra e tij Napoli e zhvilloi ndaj Inter-it, por ai nuk mundi të evitojë humbjen e parë të ekipit të tij këtë sezon, pasi u mposhtën me shifrat 3:2 ndaj zikaltërve.

Ndërkohë, në Serie A vazhdon të zhgënjejë sulmuesi i Dardanëve, Vedat Muriqi.

Ai pati në dispozicion 26 minuta në ndeshjen që skuadra e tij, Lazio e humbi me rezultat 0:2 ndaj Juventus-it, por Muriqi nuk arriti të lërë gjurmë as në këtë takim, përkundër dy rasteve të mira që i pati.

Milot Rashica në ndeshjen kundër Southampton

Milot Rashica realizoi një paraqitje tejet pozitive, në takimin e xhiros së 12-të në Premier Ligën angleze, ku skuadra e tij, Norwich City e fitoi me shifrat 2:1 ndaj Southampton-it.

Rashica nuk shënoi apo asistoi në këtë ballafaqim, por ai ishte një nga më të mirët në fushë.

Paraqitje të mira patën edhe dyshja e mbrojtjes së Kosovës, Fidan Aliti dhe Mirlind Kryeziu, të cilët ishin të pakalueshëm në takimin që skuadra e tyre, Zurich e fitoi në udhëtim te Sion-i, ndeshje kjo e vlefshme në Superligën e Zvicrës.

Falë këtij suksesi, skuadra e Zurich-ut pozicionohet ne vendin e parë në tabelë, duke lënë prapa gjigantët zviceranë, si Basel e Young Boys.

Fidan Aliti në ndeshjen kundër Sion

Kujtojmë që përveç lojtarëve të lartcekur, në formacionin startues te skuadra e Zurich-ut ishin edhe futbollistët tjerë me prejardhje kosovare: Blerim Xhemajli, Lindrit Kamberi e Bledian Krasniqi.

Paraqitje për tu vlerësuar pati edhe Ibrahim Dresheviq, i cili ishte ndër protagonistët kryesorë që skuadra e tij, Heerenveen e fitoi me rezultat 2:1 ndaj Willem II, ndeshje kjo e vlefshme e xhiros së 13-të në elitën së futbollit holandez.

Mbrojtësi anësor i Kosovës, Lirim Kastrati, gjithashtu pati një paraqitje të mirë në ndeshjen që skuadra e tij, Ujpest e fitoi përballë Debrecen-it, në ndeshjen e xhiros së 13-të të elitës së futbollit hungarez.

Ibrahim Dresheviq në ndeshjen kundër Willem II

Betim Fazliji nuk mundi ta shpëtojë ekipin e tij St. Gallen nga humbja që e pësuan ndaj Lausanne, në takimin e vlefshëm të javës së 14-të të futbollit zviceran, aty ku mbrojtësi kosovar luajti për 90 minuta.

Ndërkohë, 90 minuta i pati në dispozicion edhe Florent Hadërgjonaj, në ndeshjen e javës së 14-të të elitës së futbollit turk, ku skuadra e tij, Kasimpasa u mposht në shtëpi me shifrat 1:3 nga Karagumruk.

Kurse mesfushori Elbasan Rashani, disi ka humbur formën që kishte në fillim te skuadra franceze Clermoont, që garon në ligën e parë të futbollit francez.

Elbasan Rashani

Rashani ishte në fushë për 60 minuta, por skuadra e tij nuk mundi ta mbajë avantazhin ndaj Nice, të cilët pastaj e humbën ndeshjen me rezultat 1:2.

Kujtojmë që Rashani kishte një start perfekt në sezonin e ri në Ligue 1, duke realizuar tre gola brenda dy ndeshjeve (dy ndaj Lyon-it), por ai tashmë nuk ka gjetur rrugën e rrjetës për 10 takime radhazi.

28 vjeçari numëron në total katër gola dhe dy asistime në 14 paraqitje me skuadrën e Clermoont.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore