Kosova

Paralajmërohen aksione për ndalimin e vjedhjes së rrymës


Ilustrim. Foto: The Telegraph.

Ministria e Ekonomisë për një javë ka bërë të ditur se 187 qytetarë kanë keqpërdorur energjinë elektrike.

Nga ky dikaster është thënë se vjedhjet e energjisë elektrike janë kosto e papërballueshme për qytetarët, të cilët i paguajnë ato në fatura.

“Kostot e vjedhjes së energjisë elektrike i kushtojnë Republikës e qytetarëve të Kosovës miliona euro në vit”.

Gjithashtu është sqaruar se vetëm për vitin e kaluar, shifrat e vjedhjeve të energjisë kanë qenë të larta aq sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë një muaj për t’i mbuluar.

“Humbjet Komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm për vitin 2021, arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë për t’i mbuluar ato”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Foto: Ministria e Ekonomisë.

Ndryshe, kriza energjetike në Kosovë është shkaktuar për shkak të pamundësisë financiare së Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovës (KEDS) për të blerë energji nga jashtë.

Njoftimi për ndërprerjen e energjisë elektrike në periudha të ndryshme, është protestuar ashpër dhe masivisht nëpër rrjete sociale nga qytetarët, prandaj qeveria e ka trajtuar me urgjencë situatën.

Një krizë globale energjetike ka nisur të japë shenja në mbar globin

Çmimet evropiane të gazit natyror janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

“Kjo krizë energjetike në Evropë do të afektojë edhe Kosovën”.

Këtë e kishte bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi sipas saj qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë.

Kjo pasi që çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani ka arritur në mbi 100 euro.

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) kishte bërë të ditur se tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me një prill të vitit të ardhshëm, atëherë kur bëhet edhe rishikimi i rregullt i çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët, KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara, ZRrE ka vendosur të mos lejojë tani shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ndërkaq, më 8 tetor, kriza energjetike në Evropë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, ka bërë që fabrika e prodhimit të nikelit në Kosovë “Ferronikeli” të ndërprejë përkohësisht punën.

Fabrika Ferronikeli, në një e-mail dërguar AP, ka bërë të ditur se ndërprerja e prodhimit ka ardhur si shkak i rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, kompania ‘NewCo Ferronikeli L.L.C’ detyrohet të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore