Lajme

Para 3 jave kaloi në PDK, asamblistja Saraçi rikthehet në VV


“Ardhsh si vera Berna”, kështu e kishte përshkruar nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu, kalimin e asamblistes së Lëvizjes Vetëvendosje, Berna Saraçi, në partinë e saj. Mirëpo, pas tri javësh e njëjta ka kaluar sërish në VV.

Lajmi është bërë i ditur nga shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.

Sveçla përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar një fotografi ku shihet së bashku me këshilltarët komunalë Saraçi, Arianit Beqiri dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në zyrën e këtij të fundit, çka lë të kuptohet se e njëjta është rikthyer në partinë që udhëhiqet nga kryeministri.

“Na 3 asamblistët, sonte, në takim me Kryeministrin. Vazhdojmë rrugëtimin bashkë me Bernën”, shkroi ai në “Facebook”.

Nga ana tjetër, kur nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahtçiu, kishte njoftuar për kalimin e Berna Saraçit në partinë e saj, kishte thënë se “ekipi i PDK-së në Prishtinë përfaqësohet edhe me një super grua në Kuvendin Komunal”, duke shtuar se “Berna Saraçi do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare komunale për të nxitur punë edhe më të mirë në Kryeqytet”.

“Ndihem jashtëzakonisht e plotësuar kur si ekip shohim se si vizioni “Prishtina na bashkon” po jetësohet natyrshëm e me vullnet çdo ditë e më shumë. Prishtina na bëri bashkë në qeverisje fillimisht për projekte konkrete në arsim, shërbime publike, zhvillim rural, kulturë e sport, por që më pas u zgjerua në një frymë që veçse po lulëzon. Bashkë, pa fjalë shumë, me punë e përkushtim të sinqertë – ashtu sikurse edhe e kishim dëshiruar nga fillimi”, theksonte ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore